Nis indeksimi i pagave në shtet, rritje reale për shërbimet, arsimin, shëndetësinë dhe policinë

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pagat e punonjësvetë sektorit publik do të indeksohen duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

“Për herë të parë, për të gjithë punonjësit në sektorin publik do të zbatohet praktika e indeksimit vjetor të pagave,” theksoi Rama në podkastin “FLASIM-Kandidati”.

Sipas tij, nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë 10 600 punonjës shërbimi, përfshirë sanitare, shoferë, teknikë, protokollistë, arkivistë dhe magazinierë, të cilët do të marrin 10 mijë lekë të reja më shumë në muaj. Për specialistët e administratës publike, rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja, ndërsa për mësuesit paga do të rritet me 3 mijë lekë të reja në muaj.

Rama bëri të ditur se, për herë të parë në sektorin e shëndetësisë, përveç indeksimit vjetor, do të fillojë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se paga mesatare për mjekët e përgjithshëm do të rritet nga 131 700 lekë në 143 500 lekë në muaj; për mjekët spitalorë nga 174 000 në 186 000 lekë, ndërsa për infermierët nga 87 000 në 92 500 lekë në muaj.

“Edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit, përveç indeksimit, do të ketë rritje në bazë të vjetërsisë në punë. Për gradat më të ulëta kjo përkthehet në një rritje mesatare prej 5 mijë lekësh të reja në muaj,” shtoi Rama.

Sipas tij, paga për inspektorët e thjeshtë do të rritet nga 80 500 në 84 500 lekë të reja, ndërsa me shtesën për kushtet e punës dhe ushqimin do të arrijë mesatarisht në 100 mijë lekë. Për nënkomisarët paga do të rritet nga 95 500 në 101 mijë lekë, e cila me shtesat për kushtet e punës dhe ushqimin shkon në 116 mijë lekë.

Për komisarët, paga bazë do të arrijë në 110 600 lekë, ndërsa me shtesat në 125 600 lekë të reja. Për drejtuesit e thjeshtë, paga do të rritet në 141 450 lekë, që me shtesën për kushtet e punës dhe ushqimin do të shkojë mesatarisht në 156 450 lekë të reja.

“Është një tjetër rritje reale e pagave për punonjësit e shtetit,” përfundoi Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit