Partia Demokratike denoncon aksionin e qeverisë për shembjen e ndërtimeve pa leje në Liqenin e Farkës, duke e cilësuar si show i radhës.
Në një prononcim për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tha se nëse ky aksion do të ishte real, Ministrja Koçiu duhet ta kishte nisur punën vetëm pak metra larg zyrës së saj, në qendër të kryeqytetit, aty ku po ngrihen kullë pas kulle.
Deklarata e plotë
Pak ditë më parë, Ministrja e Brendshme Albana Koçiu, e shoqëruar nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtoresha e IKMT-së, inskenuan një tjetër ‘shoë’ publik pranë liqenit të Thatë në Tiranë, për të treguar ‘përkushtimin’ e qeverisë kundër ndërtimeve pa leje.
Le ë fillonte nga lejet e ndërtimit apo katet shtesë të ‘Tirana’s Rock’, ‘Book Building’, ‘MET Building Tirana’, ‘Eyes of Tirana’, ‘WEST Residence’, ‘Kulla Pyll’, ‘Kubi i Bllokut’, ‘Bound Tower’ e shumë të tjera.
Pa harruar rezidencat luksoze si Tirana Festival City, Square 21, Fiori di Bosco, Tirana Splendor e dhjetëra projekte të tjera gjigante që kanë rrethuar kryeqytetin me beton dhe para të pista.Projekti i Edi Ramës për ta mbushur Tiranën me kulla shumëkatëshe është quajtur nga ai vetë ‘vizion europian’, ndërkohë që për qytetarët e thjeshtë ai është kthyer në një lavatriçe gjigante pastrimi parash.
Ndërsa deri në vitin 2018, sheshi qendror i Tiranës ishte i mbrojtur për shkak të vlerës historike. Vetëm pas ndryshimeve të bëra nga qeveria, kufiri i mbrojtjes u zhduk dhe kulla të reja nisën të ngrihen njëra pas tjetrës.
Sot, një metër katror në këto godina kushton deri në 5.000 euro, çmime këto të papërballueshme për banorët e thjeshtë të cilët nuk kanë vend në to, prandaj shumica e tyre janë bosh, shenjë e qartë e pastrimit të parave që po ndodh në sy të të gjithëve.
Kujtojmë se në shtatë vitet e fundit, në Tiranë janë dhënë leje ndërtimi për rreth 12 milionë metra katrorë sipërfaqe banimi e komerciale, një pjesë e madhe e të cilave në qendër të qytetit, ndërsa asnjë aksion i qeverisë nuk guxon të afrohet te kullat.
Arsyeja është e thjeshtë: pas tyre qëndron vetë Edi Rama.
Partia Demokratike i bën thirrje SPAK-ut të hetojë me urgjencë:
Lejet e ndërtimit të dhëna, dhe zbatimi i punimeve në respekt të tyre,
Burimin e fondeve dhe skemat e pastrimit të parave që fshihen pas këtyre projekteve,
Lidhjet midis ndërtuesve dhe funksionarëve të lartë shtetërorë.
Këto ndërtime janë kthyer në simbol të korrupsionit dhe pastrimit të parave në Shqipëri, duke u bërë pjesë e raporteve ndërkombëtare dhe të jehonës negative në mediat botërore.


