Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë këtë të mërkurë, më 26 nëntor, në një konferencë për mediat për të folur mbi dëmet e shkaktuara nga moti i keq në të gjithë vendin.
“Moti dhe korrupsioni në sinergji, në bashkëveprim, kanë pasur këtë javë efekte shkatërrimtare mbi pronat e qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit.”, tha Berisha.
Berisha u ndal gjithashtu tek rrugët e reja, të cilat, pavarësisht se janë të sapoinauguruara, janë shembur pas vetëm disa muajsh. Ai përmendi rrugët Qukës-Qafë Pllocë, Kardhiq-Delvinë, Rruga e Arbrit dhe Korçë-Ersekë, duke theksuar se skarpatet e tyre janë lënë pa përforcime.
“Investimet janë në të katër anët e vendit në sistemin e kanalizimeve, por kanalet janë të mbyllura, janë të mbushura, dhe ato nuk ka kush t’i hapë sepse paratë për mirëmbajtjen e tyre vetëm vidhen. U bënë virale në Shqipëri dhe në mbarë botën pamjet e rrugës së sapoinauguruar Qukës- Qafë Pllocë, pamjet e rrugës Kardhiq-Delvinë, pamjet e Rrugës së Arbrit, pamjet e rrugës Korçë-Ersekë, të gjitha të inauguruara vitin e kaluar ose gjatë këtij viti. Pra, pas një periudhe shumë të shkurtër inaugurimi, u shembën njëra pas tjetrës.
Ndërkohë skarpatet shumë herë më problematike, më të larta se këto që u shembën, të ngritura 15 vite më parë në Rrugën e Kombit, në autostradën Levan-Tepelenë, në autostradën Tepelenë-Gjirokastër, dhe në autostrada të tjera të ndërtuara 13-15 vite më parë, skarpatat nuk kanë lëvizur, ndonëse ato rrugë janë ndërtuar me një çmim nga 6 deri në 10 herë më të lirë se sa këto që shemben.
Një vjedhje e tmerrshme, e paimagjinueshme, sepse ndonëse është shpenzuar 6-fishi, 8-fishi, 10-fishi sipas rrugës në ndërtimin e një kilometri, skarpatat janë lënë që të rrëshqasin, asnjë lloj përforcimi i këtyre skarpateve.”, tha Berisha.


