Kurti mirëpret largimin e masave nga BE-ja: Ishin të padrejta

Mos i humb

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mirëpritur largimin e 50 për qind të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, si dhe paralajmërimin se në muajin janar të njëjtat do të hiqen në tërësi.

Ai, në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, tha se masat ishin të padrejta që në ditën e parë. Kurti nga objekti qeveritar akuzoi edhe partitë e ish-opozitës, që sipas tij, nuk miratuan Planin e Rritjes së BE-së dhe marrëveshjet me Bankën Botërore para shpërndarjes së legjislaturës së kaluar. Madje ai tha se “Kosova masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga ish opozita parlamentare”.

“Ne e mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian për t’i hequr masat që ishin vendosur Kosovës. Ato ishin të padrejta që në ditën e parë, sepse së pari institucionet e Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë. Së dyti, sepse deeskalimi i situatës ishte meritë e institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Kurti nënvizoi se çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit në veri të vendit do të ishte fatal për Kosovën, derisa përmendi sulmet terroriste serbe në Banjskë në vitin 2023 dhe atë në Varagë në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Republika e Kosovës dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve terroriste, prej të cilave dy me pasoja të rënda, ai në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi ynë Afrim Bunjaku, dhe tjetri në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor të vitit 2024. Për të dy këto sulme tashmë ka aktakuza të ngritura. Për rastin e Banjskës të gjitha provat dëshmojnë për një plan të përgatitur me përfshirjen dhe financimin e shtetit të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes strukturave paramilitare, pas një konflikti që do të zgjerohej. Po të mos ishin vendimet me kohë dhe reagimi i shpejtë i policisë, mëngjesi i 24 shtatorit të vitit 2023 do të na zbardhte një realitet krejtësisht tjetër në terren. Ndërkaq, për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit konfirmohet përfshirja e strukturave ilegale të Serbisë dhe vetë shtetit të Serbisë. Në retrospektivë, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Kosovën. Situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veri është pikërisht sepse ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik”, shtoi Kurti.

Pavarësisht masave nga BE-ja, Kurti tha se nuk kanë qenë asnjëherë të hidhëruar me Unionin Evropian, por kanë mbetur të përkushtuar ndaj integrimit dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.

Duke përmendur mosmiratimin e Planit të Rritjes së BE-së në vlerë mbi 880 milionë euro për Kosovën dhe tri marrëveshjeve me Bankën Botërore në vlerë 120 milionë euro në legjislaturën e nëntë, Kurti tha se shpreson që të njëjtat të miratohen posa të konstituohet Kuvendi pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Ai shtoi se shpreson që “edhe ish-opozita t’ia heqë masat Kosovës”.

“Megjithëkëtë, gjatë kësaj kohe nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me Bashkimin Evropian. Kemi mbetur të përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe për përmbushjen e kritereve për anëtarësim, për të vazhduar si aleatë dhe kampionë të vlerave demokratike. Por më duhet të them edhe diçka, se Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare. Në muajin e kaluar, përkundër insistimit tonë, Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes së BE-së në vlerë 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, pra mbi 1 miliard euro gjithsej, në mungesë të vullnetit dhe të votës së opozitës. Andaj uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit, edhe opozita e tanishme t’ia heqë masat Kosovës”, përfundoi Kurti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit