Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vuri në dukje se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një prioritet në procesin e integrimit evropian, por çështja kyçe që shpjegon situatën aktuale ekonomike dhe shoqërore të vendit.
Në një analizë në rrjetet sociale, Tabaku cilësoi si problemin themelor të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare korrupsionin e institucionalizuar.
“Korrupsioni është arsyeja kryesore për kapjen e ekonomisë në pak duar, për pastrimin e parave, për largimin e të rinjve dhe emigracionin masiv, si edhe për humbjen e shpresës tek qytetarët”, tha Tabaku.
Deputetja e PD-së kujton se ajo ka propozuar ndër vite një sërë nismash ligjore dhe një paketë të posaçme antikorrupsion, por nënvizon se përmirësimet ligjore, sado të domosdoshme, nuk janë të mjaftueshme kur mungon vullneti politik dhe kur korrupsioni është ngritur në nivel sistemi.
“Problemi nuk qëndron vetëm te ligjet, por te mënyra se si funksionon pushteti dhe te modeli i qeverisjes që, e prodhon dhe e ushqen korrupsionin”, tha ajo.
Si shembull konkret, ajo përmend ligjin për koncesionet dhe Partneritetet Publike Private (PPP), i cili, sipas saj, pavarësisht ndryshimeve të bëra nga viti 2017 deri në vitin 2023, ka shfaqur të njëjtat problematika.
“Raste si inceneratorët, koncesionet rrugore, sektori i energjisë apo skandalet në AKSHI, dëshmojnë se edhe një ligj i mirë, i ndërtuar mbi standarde evropiane, nuk e ndalon korrupsionin kur ky është bërë pjesë e sistemit”, tha Tabaku.
Në përfundim, Tabaku thekson se ndryshimi real kërkon më shumë sesa rregullime ligjore apo platforma kombëtare: kërkon ndryshimin e sistemit dhe rikthimin e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin.
“Vetëm një ndryshim i tillë mund të çlirojë ekonominë nga kapja, të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të hapë perspektivë për të ardhmen e vendit”, tha ajo.


