Viti i kaluar ishte viti i tretë më i ngrohtë në nivel global, konfirmuan shkencëtarët, si pasojë e aktivitetit njerëzor që ka nxitur një klimë më të nxehtë.
Shkencëtarët në të gjithë botën – përfshirë Zyrën Meteorologjike të Britanisë së Madhe, Universitetin e Anglisë Lindore (UEA) dhe Qendrën Kombëtare për Shkencën Atmosferike (NCAS) – kanë publikuar të dhënat e tyre për vitin 2025, duke zbuluar se ai ishte viti i tretë radhazi me temperatura më shumë se 1,4 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale.
Viti i kaluar ishte 1,41 gradë mbi nivelin bazë të temperaturave të shekullit XIX, pas nxehtësisë në nivele rekord në vitin 2024, dhe viti 2023, sipas të dhënave “Hadcrut5” të mbledhura nga Zyra Meteorologjike, UEA dhe NCAS, ndërsa analiza e “Copernicus Era5” e Evropës i përcaktoi temperaturat në 1,47 gradë mbi nivelet para-industriale.
Seti i të dhënave “Hadcrut5” e vendos temperaturën mesatare gjatë tre viteve të fundit në 1,47 gradë mbi nivelet e regjistrua në vitet 1850-1900, ndërsa monitorimi i “Copernicus” zbuloi se ato mesatarisht, ishin më shumë se 1,5 gradë mbi nivelet para-industriale.
Tim Osborn, profesori dhe drejtori i Njësisë së Kërkimit të Klimës në UEA, tha se dy vitet e mëparshme ishin bërë edhe më të nxehta nga një ndryshim natyror i klimës në Oqeanin Paqësor, fenomeni “El Niño”, i cili shtoi rreth 0,1 gradë Celsius në temperaturat globale.
“Kjo u dobësua në vitin 2025 – duke zbuluar një pamje më të qartë të ngrohjes themelore, të nxitur nga njeriu”, tha ai.
“Uljet e mprehta dhe të qëndrueshme të emetimeve të gazrave serrë do të ngadalësonin, dhe përfundimisht do të ndalonin ndryshimet e mëtejshme klimatike të shkaktuara nga njeriu në botë”, shtoi ai.
“Rritja afatgjatë e temperaturës mesatare vjetore globale është nxitur nga rritja e përqendrimit të gazrave serrë në atmosferë, e shkaktuar nga njeriu”, tha Colin Morice, shkencëtari i Klimës.
“Luhatjet në temperaturë nga viti në vit rezultojnë kryesisht nga ndryshimet natyrore në sistemin klimatik”, shtoi ai.
Shkencëtarët konfirmuan se nxitësi kryesor i ngrohjes globale është aktiviteti njerëzor, kryesisht djegia e lëndëve djegëse fosile.
Me analizat që vendosin temperaturat afatgjata 1,37 dhe 1,4 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, ekspertët paralajmëruan se bota po i afrohej limitit prej 1,5 gradësh të rënë dakord nga vendet në marrëveshjen e klimës së Parisit, për të shmangur ndikimet më të këqija të thatësirave, përmbytjeve, nxehtësisë ekstreme, zjarreve dhe shembjes së natyrës.
Shkencëtarët e “Copernicus” thanë gjithashtu se 11 vitet e fundit ishin më të ngrohtat e regjistruara ndonjëherë.
“Fakti që 11 vitet e fundit ishin më të ngrohtat e regjistruara ndonjëherë ofron prova të mëtejshme të trendit të padyshimtë drejt një klime më të nxehtë”, tha Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit të Ndryshimit Klimatik në “Copernicus”.
“Bota po i afrohet me shpejtësi limitit afatgjatë të temperaturës të vendosur nga marrëveshja e Parisit”, tha ai.
“Ngrohtësia e qëndrueshme deri në vitin 2025, pa ndikimin natyror ngrohës të “El Niño”, nënvizon urgjencën e ndalimit të ngrohjes së planetit Tokë dhe ndikimeve në rritje të klimës duke ulur me shpejtësi gazrat serrë në të gjithë sektorët e shoqërisë”, tha Richard Allan, profesori dhe shkencëtari i Klimës në “Universitetin e Reading”.
“Ndikimet në ekosisteme dhe sistemet e ushqimit dhe ujit të njeriut po përshkallëzohen me shpejtësi dhe ne po rrezikojmë një klimë që, në jetën e fëmijëve të mi, është pothuajse aq e ndryshme nga klima jonë natyrore sa ishte epoka e fundit e akullnajave, vetëm se kjo është më e nxehtë në vend që të jetë më e ftohtë”, tha John Marsham, profesor i Shkencës Atmosferike në “Universitetin e Leeds”.
“Kjo do të jetë katastrofike për ekosistemet, shëndetin e njeriut dhe sistemet tona të ushqimit dhe ujit”, tha ai.
“Në Takimin e fundit Kombëtar të Emergjencës mbi Klimën dhe Natyrën, deputetët dëgjuan se ndërmarrja e veprimeve nga Britania e Madhe mund të jetë fitimprurëse, edhe nëse vendet e tjera nuk veprojnë – me burimet e rinovueshme që ulin kostot, krijojnë vende pune dhe ofrojnë siguri energjetike”, duke shtuar se njerëzit duhej të kërkonin veprime urgjente”


