Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, foli në një prononcim për mediat këtë të hënë, lidhur me Reformën Territoriale, nga ku ka bërë një paralajmërim për opozitën.
Pas mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Balla tha se do merren masa nëse anëtarët demokratë nuk marrin pjesë as sot në mbledhjen e komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale.
“Në mungesë dhe të një komunikimi ditën e enjte kur kishim Konferencën e Kryetarëve, dua të them se nuk jam natyrë që bëj ultimatume, por u kam bërë një kërkesë anëtarëve të kmisionit të reflektojnë për detyrimin sa i përket zbatimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën territoriale. Kemi rënë dakord, kemi ngritur një komision nën parimin e bashkëdrejtimit dhe barazisë. Çdo shkresë kërkon dy firma nga bashkë kryetar. Por ka 3 muaj, që nuk lejohen nga lidershipi i Partisë së tyre që të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit. Besoj dhe shpresoj që sot, jo vetëm deputetët e opozitës të jenë prezent por të marrin dhe detyra brenda kompozicionit në mënyrë që nesër në seancën e Kuvendit të vendosim mekanizmat zhbllokues. Ky mekainizëm do aplikohet nesër tek Komisioni për zbatimin e Reformës Administrative Territoriale.“, tha Balla.
I pyetur nga gazetarët, Balla la të kuptohej se kjo nënkuptonte ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm, ku PS do të ketë një anëtar më shumë.
Sjellim ndërmend se gjatë Konferencës së Kryetarëve të përmendur nga Balla, Partia Socialiste kërkoi që të ndryshohej formula e funksionimit të këtyre komisioneve, duke marrë shumicën e anëtarësisë dhe rrjedhimisht duke i dhënë mundësinë vetes për t’i bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme pa opozitën.
Partia Demokratike nga ana tjetër pretendon se nuk ka marrë pjesë për shkak të agjendave paralele dhe jo për arsye bojkoti.


