Rama: Ndryshime në legjislacion për problemin e pazgjidhur nga Kushtetuesja, SPAK mund të vazhdojë hetimet

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama informoi sot për 3 konkluzione nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Së pari, sipas Ramës,  “funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrsesi nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton”.

Së dyti, vuri në dukje Kryeministri, “nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion”.

“E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”, shkroi Rama duke iu referuar mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PS-së.

Kryeministri shtoi se SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet.

“Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen”, përfundon Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit