Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend, tha se në Konferencën e Kryetarëve u diskutua për detyrimin që ka Kuvendi, sapo Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin e saj, pasi sipas tij Kushtetuesja është në shkelje të vendimit të vet.
“Për të qenë të vërtetë në ato që themi dhe nuk duhet të marrim përsipër të themi gjëra pasi kemi ikur nga salla, zonja që sapo foli nuk ka qëndruar në mbledhjen e kryetarëve deri kur u ra dakord për kalendarin. Kur del në foltore thuaj të vërteta. Gjykata Kushtetuese kemi diskutuar që është në shkelje të ligjit të vet pasi deri në 25 mars duhet të kishte zbardhur vendimin, këtë kemi thënë dhe nuk kemi hyrë fare te pjesa e propozimeve të ndryshimeve të Rregullores.
Kemi rënë dakord zonja Tabaku për kalendarin dhe është e papranueshme të thuash të kundërtën, kur nuk ke qenë as në sallë.
Sa i përket mocionit me debat, jam dakord që duhej të ishte zhvilluar, por të mos harrojmë, se the këtu edhe për mocionin me debat për luftën ndaj krimit të organizuar, është mbajtur ky zonja Tabaku.
Ju thoni që mazhoranca ju ka mohuar të drejtën që të sillni iniciativa ligjore, atë të miratimit të tyre. E ndjek me kërshëri Bundestagun gjerman, nuk di që mazhoranca të miratojë atë që propozohet nga opozita. Nuk ndodh. Edhe këtu kam një propozim publik. Jemi gati t’ju miratojmë edhe ju propozime por jo me forcë e gërdufje, fillimisht na i prezantoni, t’i diskutojmë e më pas i miratojmë. Por sot, ju dashnorët më të rinj të integrimit, do ju jap faktin më domethënës, e kemi nisur legjislaturës në fund të shtatorit, prej asaj dite janë një sërë ligjesh që janë përafruar me legjislacionin e BE, 23 ligje, nuk gjendet një votë pro nga ju.
Me variantin: o pranojeni o ne… nuk ka. Nuk e bëjmë dot, me 83 mandate që na janë besuar më 11 maj, nuk i hamë presionet. Ju keni përjashtuar veten, nuk ju kemi përjashtuar ne”, tha ai.
Fjala e plotë:
Për të qenë të vërtetë në ato që themi, dhe nuk do të marrim përsipër, themi, gjëra kur kemi ikur nga salla. Zonja që sapo foli, nuk ka qëndruar në mbledhjen e konferencës kryetarëve, deri në momentin kur ne kemi rënë dakord për kalendarin. Është larguar, punët e veta, po të paktën është mirë që kur të çohesh këtu, të thuash të vërtetën. Janë këtu në këtë sallë të gjithë anëtarët e konferencës kryetarëve. Nuk kemi diskutuar kurrsesi për çështje të propozimit për ndryshime të rregullores së Kuvendit, ndërkohë që kemi diskutuar vetëm për detyrimin që ka Kuvendi i Shqipërisë, që menjëherë sapo Gjykata Kushtetuese, të zbardhë vendimin e saj dhe, kujtoj këtu, diskutimin që bëmë në të njëjtën linjë dhe gjatësi vale, se Gjykata Kushtetuese është në shkelje të ligjit vetë, sepse brenda 30 ditësh nga data 23 shkurt që do të thotë se shkurti është dhe i shkurtër, po diku te 25 marsi, Gjykata Kushtetuese duhet të kishte zbardhur vendimin e vet. Këtë kemi thënë, dhe ndërkohë që nuk kemi hyrë fare, po fare, tek pjesa e propozimeve të ndryshimeve të rregullores. Por e dinë të gjithë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të shkojë menjëherë tek Këshilli i Legjislacionit dhe pastaj të transpozohet.
Kemi rënë dakord, zonja Tabaku, për kalendarin. Është në procesverbal. Dhe është e papranueshme që të vish këtu dhe të thuash nuk kemi rënë dakord, kur ke ikur nga salla, nuk ke qenë në sallë, kjo është e para. E dyta, sa i përket mocionit me debat. Jam plotësisht dakord që mocioni me debat duhet të ishte zhvilluar, nuk i ndërroj fjalët unë, ato që kam thënë konferencë kryetarëve, i them edhe këtu. Por duhet të mos harrojmë asnjëherë se the këtu dhe për një mocion tjetër me debat, the mocioni me debat për luftën kundër krimit organizuar, e kemi organizuar më datë 17 dhjetor. Është mbajtur ky, zonja Tabaku, është organizuar ky. Pra, tani e bëre këtë gabim, ta falim.
Sa i përket çështjeve të mocionit me debat të kërkuar. Në nëntor të vitit të kaluar kemi bërë një konferencë kryetarësh, dhe edhe aty përsëri kemi rënë dakord, që të bëjmë një bashkim të dy çështjeve në të njëjtin mocion me debat. Raportin e Dash-it, dhe pa dyshim, të Departamentit Amerikan të Shtetit, jo të Dash-it, ish-Dashit tuaj. Dhe mocioni me debat që lidhet me nenin 18 të ligjit për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Kemi thënë që sapo të vijë raporti, do t’i bëjmë. Pa dyshim, që bie plotësisht dakord dhe jemi të gjithë së bashku që edhe ju, edhe ne, na ka kaluar afati i përcaktuar. Por nuk është aspak e vërtetë të vish këtu dhe të thuash që qeveria shqiptare nuk ka raportuar fare sa i përket procesit të integrimit europian. Ja ku i keni, të katër raportet e dërguara nga qeveria sa i përket nenit 19, atij të raportimit tek Komisioni dikur për çështjet europiane, sot për Europën dhe punët e jashtme. Qeveria e ka bërë këtë pjesë, natyrisht që duhet të vijmë edhe tek pjesa që lidhet me këtë debat dhe diskutimi në konferencën e kryetarëve me propozimin që nuk ka pasur dakordësi, dhe këtu duhet të jemi, unë kam thënë konferencë kryetarëve, në datën 7 apo në datën 14 maj, le ta zhvillojmë këtë debat për të cilin kemi rënë dakord në muajin maj.
Këtu nuk kemi dakordësi, ju thoni që e dua menjëherë, ne themi që ta zhvillojmë në 7 apo 14 maj, dhe për këtë çështje do të duhet të votohet. Tani, sa i përket disa çështjeve që ngrihen si parimore, dhe e kam dëgjuar edhe komunikimin tuaj publik, jo vetëm këtë sot, që ishte një, le të themi, mundësi e shkuar dëm për të prekur shumë çështje, e po mos thënë asnjëra prej çështjeve. Ju thoni që mazhoranca u ka kufizuar, madje ju ka mohuar të drejtën që ju të sillni iniciativa ligjore. Në kuptimin, atë të miratimit të nismave ligjore. Unë nuk di, unë e ndjek me shumë kërshëri Bundestagun gjerman, unë nuk di që shumica aktuale e qeverisë mes CDU, CSU dhe SPD-së të miratojë nisma ligjore që vijnë nga opozita e AFD-së apo të GRIN-it. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë sepse nuk ndodh. Nuk ndodh. Ju thoni ne do të biem disa propozime, ju na i miratoni. Edhe këtu e kam sot një propozim publik, jemi të gatshëm t’ju miratojmë edhe ju propozime.
Po jo, jo me dhunë, as me forcë, as me gërdufje, nëse doni që të vini t’ua miratojmë ne, e para është që duhet të vini të na i prezantoni, t’i negociojmë, t’i diskutojmë së bashku, dhe hajde t’i miratojmë. Po sot ju “dashnorët” më të rinj të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, do t’ju jap një fakt që është fakti më domethënës, jo për ju, as për ne këtu, se ne këtu e dimë, për ata që na ndjekin. E kemi filluar këtë sesion, këtë legjislaturë, në fund të shtatorit, me vonesat që patëm deri në konstituimin. Edhe prej asaj dite ja ku e kemi listën e plotë të ligjeve të përafrimit të legjislacionit të përmbushjes së kritereve parakushteve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ligj për… po i marr me radhë, po 23, 23 ligje.
Në asnjërin prej tyre nuk gjendet asnjë votë pro e juaja. 23 ligje që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian në asnjërin prej tyre nuk gjendet një votë pro e Partisë Demokratike. Dhe ju këtu na vini dhe na thoni ne po ju pse s’na votoni këto ligjet tona, këto nuk janë ligjet tona, këto nuk janë ligjet tona, këto janë ligje detyrimit të Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit. Ka këtu mes nesh kolegë që në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste nuk kanë qenë dakord. Nuk kanë qenë dakord, e për mua si kryetar i grupit është edhe e vështirë që t’i kërkoj të gjithëve të jenë… kemi raste, kur na është dashur të amendojmë në seancë sipas rregullores për ta sjellë në gërmën që ka kërkuar Komisioni Europian. Për ata që dinë sado pak nga ky proces, kjo legjislaturë, të paktën sesionet deri në fund të 2027-ës, kur ne pretendojmë dhe synojmë bashkë me Komisionin të përmbyllim marrëveshjen e anëtarësimit, këtu e dimë fare mirë që këtu nuk mund të luash asnjë gërmë.
Por e vërteta e madhe për veshët e publikut për sytë e Brukselit është që ju nuk keni votuar në asnjërën prej tyre, në asnjërën prej tyre. Dhe nëse ju me të vërtetë e doni integrimin, e doni anëtarësimin, bujrum, sillni propozimet tuaja për çfarë të doni ju, për ligje, për komisionet hetimore, patjetër. Për mocionet me debat, patjetër. Po me atë variantin me këtë variantin që o pranojeni këtë, o ne …nuk ka. S’e bëjmë dot. Nuk e bëjmë dot. E para njëherë me 83 mandate që na ka besuar populli shqiptar në 11 maj, presione nuk hamë. E dyta, sa i përket kësaj pjesës së fasadës së normalitetit të rremë, apo përjashtimit nga procesi i integrimit. Ku ju kemi përjashtuar ne? Ju jeni përjashtuar vetë pra. Ju keni përjashtuar vetën. Ju nuk keni gjetur asnjë arsyetim dhe nuk keni sot asnjë arsyetim t’i thoni popullit shqiptar përse nuk i votoni ju ligjet e integrimit europian.
Prandaj zoti kryetar për të përmbyllur dhe për të sqaruar edhe kolegët të cilët do të votojnë, ka dy qëndrime. Që një qëndrim është që të mos ta… një qëndrim i deputetëve të Partisë Demokratike është që të zhvillohet mocioni me debat, po s’kishte datë, dhe ndërkohë që propozimi im është që mocioni me debat të zhvillohet dhe të zhvillohet …. Mocioni me debat të zhvillohet në datë 14 maj. Besoj që bashkëpunim më të mirë se ky nuk ka, këta vijnë pa datë, ne vijmë me datë, edhe është dhe java e bukur e Europës 9 maj është dita e Europës, më 14 maj bëjmë debatin për çështjet e Europës. Faleminderit.


