Cyrihu me rrethinën e tij ka mesataren më të lartë në gjithë Zvicrën sa i takon nivelit të shkollimit që kanë banorët e tij.
Madje qarku administrativ i Cyrihut është i vetmi në Zvicër ku një shumicë e banorëve kanë të mbaruar shkollimin e lartë, bëhet e ditur në statistikën më të re, të publikuar të mërkurën nga Zyra Federale për Statistikë (BFS).
Me fjalë tjera, 51 për qind e banorëve të moshës mbi 25 vjeçare në këtë qark kanë absolvuar me sukses një fakultet ose një shkollë të lartë.
Menjëherë pas Cyrihut vjen qarku i Meilenit, i cili po ashtu bën pjesë në Kantonin e Cyrihut, me 49 % qytetarë akademikë në popullatën e tij të gjithmbarshme.
Por Qarku i Meilenit ka fuqinë blerëse më të lartën në kanton e më gjerë, gjegjësisht 62.000 euro për kokë banori.
Ndërkohë që qarku i Cyrihut në këtë listë është vetëm i 14-ti.
Ndërsa fare në majë është qarku i vogël, i njohur si “oaz tatimor”, Höfe në Kantonin Schwyz, i cili ka “kuletën më të trashë” në gjithë Zvicrën, gjegjësisht fuqia blerëse e banorit mesatar të tij është afër 88 mijë euro.
Në vendin e tretë sa i përket arsimimit vijnë dy qarqe të Kantonit Vaud, Nyon dhe Lavaux-Oron, me nga 48% secili./Albinfo.ch/