Përkrahja e Francës për organizatën terroriste PYD/YPG përbën bashkëpunim dhe solidaritet të qartë me organizatat terroriste që punojnë për të dëmtuar Turqinë, tha Ankaraja të premten pas takimit të presidentit të Francës Emmanuel Macron me një delegacion të SDF-së të kryesuar nga PYD/PKK.
Deklarata e presidentit francez mbi mbështetjen për organizatën terroriste PYD/YPG/YPJ në të vërtetë do të thotë “Mbështetje e hapur për terrorizmin, grupet terroriste dhe terroristët; një përpjekje për të legjitimuar grupet terroriste; dhe bashkëpunim i qartë dhe solidaritet me grupet terroriste që sulmojnë Turqinë”, tha zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i qeverisë turke Bekir Bozdağ në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.
Ai tha se Turqia është e vendosur të luftojë grupet terroriste, duke shtuar se ata që krijojnë miqësi me grupe të tilla do të humbasin miqësinë e Turqisë.
Një deklaratë e së enjtes nga Pallati Elysee tha se gjatë një takimi me një delegacion të SDF-së të udhëhequr nga PYD/PKK, presidenti Emmanuel Macron ka rikujtuar “angazhimin e Francës kundër PKK-së dhe angazhimin e saj për sigurinë së Turqisë”.
Megjithatë, siç ka dokumentuar Turqia, PYD/PKK dhe SDF në të vërtetë janë degët siriane të organizatës terroriste PKK, të shpallur nga Turqia, Franca dhe Bashkimi Evropian si organizatë terroriste.
Macron pohoi gjithashtu se SDF nuk ka patur “lidhje operacionale me këtë grup terrorist (PKK-në)”, duke shtuar se “mund të krijohet një dialog midis SDF dhe Turqisë me ndihmën e Francës dhe bashkësisë ndërkombëtare”.
Megjithatë, SDF është e dominuar nga forcat PYD/PKK-së, siç ka demonstruar Ankaraja.
Në fushatën e saj 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK ka shkaktuar vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve ndërsa Ankaraja ka paralajmëruar kundër bashkëpunimit të aktorëve ndërkombëtarë me grupe të tilla si PYD/PKK, YPG/PKK dhe SDF/PKK, pasi ato të gjitha janë PKK nën emra të ndryshëm.


