Automjetet e reja të shitura në vitin 2017 në Bashkimin Europian (BE) kanë emetuar pak më tepër dioksid të karbonit (CO2) për kilometër në krahasim me ato të shitura një vit më parë, njoftoi Komisioni Europian (KE).
Kjo është rritja e parë në emetimet e CO2 të koleksionit të ri të veturave të BE-së që nga fillimi i monitorimit në vitin 2010, tregojnë të dhënat paraprake të lëshuara nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA), tha KE.
Niveli mesatar i emetimeve të CO2 të makinave të reja të shitura në vitin 2017 arriti në 118,5 gram për kilometër, që është 0,4 gram më shumë se në vitin 2016. Megjithatë, emetimet e CO2 në vitin 2017 ishin dukshëm më të ulta nga ato të vitit 2015, kur arritën në 130 gram për kilometër.
KE theksoi kërkesën në rritje për automjete më të forta me benzinë, duke reduktuar praninë e veturave disel. Pjesmarrja e automjeteve disel ishte 49 për qind në 2016, kurse vitin e ardhshëm ra në 45 për qind.
“Edhe pse shitjet e automjeteve hibride elektrike plug-in dhe automjeteve elektrike me bateri prej vitit 2016 deri në vitin 2017 u rritën për 42 për qind, pjesëmarrja e këtyre automjeteve në koleksionin e ri të BE-së ka mbetur e ulët, në 1,5 për qind”, theksoi KE.
Nga fillimi i monitorimit në vitin 2010, mesatarja e emetimit të CO2 të automobilave të rinj në BE është ulur për 22 gram për kilometër, që është një ulje për 16 për qind. Megjithatë, KE tha se prodhuesit duhet të ulin emetimet për të përmbushur objektivin që koleksioni i BE-së për vitin 2021 të emetojë vetëm 95 gramë CO2 për kilometër.


