Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka vizituar sot në vendngjarje pjesëtarët e FSK-së të Njësisë së Kërkim Shpëtimit në Ujëra dhe Male, të cilat janë duke zhvilluar operacione kërkimi të dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, përgjatë rrjedhës së lumit Lepenc, në aksin Kaçanik-Hani i Elezit.
MFSK nëpërmjet një komunikate thotë se me vendim të ministrit Rrustem Berisha dhe me urdhër të komandanti të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, njësia e Kërkim Shpëtimit në Ujëra dhe Male, vazhdon të jetë e angazhuar për të tretën ditë me radhë në operacionin e kërkimit të aksidentuarëve në Lumin Lepenc, në rrugën magjistrale Prishtinë- Shkup, saktësisht në territorin e komunës së Hanit të Elezit.
“Deri më tani, zhytësit e FSK-së kanë kontrolluar pëllëmbë për pëllëmbë, pesë kilometra të rrjedhës së lumit, si dhe në tërësi shpatin e malit – vendin e aksidentit në tërë sipërfaqen e tij, dhe se kërkimi po vazhdon akoma, së bashku edhe me akterët tjerë institucional të vendit.
Forca e Sigurisë së Kosovës, përkatësisht Njësia e Kërkim Shpëtimit në Ujëra e Task Forcë së Regjimentit të Mbrojtjes Civile, është angazhuar në operacion, në vendin e incidentit më 29 prill, rreth orës 01:00, me 11 pjesëtarë të pajisur me pajisje specialistike, si dhe dy automjete.
Operacioni i parë ishte ndërprerë gjatë natës nga komanda e incidentit dhe ka vazhduar përsëri po më datë 29 prill nga ora 09:00. Me rifillimin e operacionit ditën e djeshme, FSK-ja ka angazhuar 14 pjesëtarë, ndërsa sot në ditën e tretë, janë të angazhuar në operacion gjithsejtë 16 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Forca e Sigurisë së Kosovës është e përkushtuar që me kapacitetet e saj profesionale të vazhdojë angazhimin e saj në operacionin e kërkimit, dhe se pjesëtarët tanë janë duke treguar profesionalizëm dhe vetëmohim gjatë kryerjes së detyrës.


