Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë (MIN) e Republikës së Kosovës organizoi ceremoninë e hapjes së “Fondit për Inovacion dhe Ndërmarrësi” për organizatat joqeveritare, i cili do të mbështesë projektet që kontribuojnë në promovimin e zhvillimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë në Kosovë.
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë i Republikës së Kosovës, Besim Beqaj në fjalën e tij tha se Kosova ka filluar t’i tejkalojë kufijtë më shpejtë në kuptimin virtual sesa problemet që i ka me lëvizjen e lirë. Ai tha se sot do të fillojnë me ndihmën për organizatat joqeveritare të cilat nuk e kanë synimin e vetëm për përfitim, por dëshirojnë që t’i japin kontribut zhvillimit duke i përkrahur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me trajnime apo me forma të tjera.
Beqaj theksoi se Fondi për Inovacion dhe Ndërmarrësi ka tri nivele te financimit duke filluar me 15 mijë euro për OJQ-të e reja në inovacion, ndërsa ai i dyti është 50 mijë euro për OJQ-të me përvojë dhe regjistër të sukseseve të tyre ndërsa 200 mijë euro do t’u ndahen OJQ-ve që kanë përvojë në trajnime.
Ai tha se secila para e shpenzuar në kuadër të këtij fondi do të jetë plotësisht transparent. “Ky program të cilin sot po e lansojmë ka për synim që t’i përkrahë inovatorët dhe ta kombinojmë njohurinë, kapacitetet e resurseve njerëzore, për të zhvilluar konceptin inovativ i cili duhet të na dërgojë drejt konceptit të dixhitalizimit të ekonomisë. Sot në botë po flitet për ekonominë dixhitale, interkonektivitetin dhe shumë tema tjera të cilat po i tejkalojnë të gjitha barrierat që i kemi pasur më herët”, tha Beqaj duke potencuar se prioritet të veçantë në këto fonde do të kenë sektori i teknologjisë informative, edukimi, energjia, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura dhe prodhimi.
Ndërsa, drejtoresha e Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit të Kosovës (STIKK), Vjollca Çavolli tha se iniciativa e Ministrisë së Inovacionit do t’u mundësojë të rinjve të përparojnë dhe zhvillojnë idetë e tyre inovative veçanërisht në sektorin e teknologjisë.
“Ky fond është më se i nevojshën nëse në Kosovë dëshirojmë që të kemi një ekonomi dixhitale. Fondi për zhvillim mbështet inovacionin në çdo sektor dhe ka qenë mase i nevojshëm. Sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit nuk zhvillohet në vetvete. Ai zhvillohet por niveli i zhvillimit në vetvete është i vogël krahasuar me atë sa shumë zhvillohet duke i zhvilluar sektorët tjerë”, tha Çavolli.


