Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani tha se ajo nuk do ta përkrahë Presidentin, Hashim Thaçi që t’i udhëheq bisedimet Kosovë- Serbi.
Osmani ka thënë se Thaçi është simbol i përçarjes dhe si i tillë nuk mund të ketë një përgjegjësi të tillë.
“Natyrisht që jo, është i njëjti qëndrim që e kam mbajte vazhdimisht për shkak se Parlamenti nuk ka mekanizma për ta mbikëqyr punën e Presidentit rrjedhimisht do ishte një proces që nuk do të mund të kontrollohej. Kjo për shkak se ai nuk është simbol i unitetit por simbol i përçarjes”, ka deklaruar Deputetja Osmani.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me rolin prijës që i jep Platforma e Qeverisë, presidentit në procesin e dialogut duke theksuar se ky rol i atribuohet atij në mungesë të fuqisë së koalicionit qeverisës për të udhëhequr proceset madhore të vendit.
“LDK-ja do të analizojë në ditët në vijim këtë platformë dhe në konsultim me strukturat e veta dhe Grupin Parlamentar do të marrë vendim”, tha Hoti.
Në anën tjetër, Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nuk e ka përjashtuar mundësinë që partia e tij të përfshihet në dialogun përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Haziri në njërin nga televizionet vendore tha se vetë ai mund ta përfaqësojë LDK-në në dialogun që do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në Bruksel.
Madje, ai ka shtuar se nuk është kundër që të marrë pjesë në bisedime me palën serbe, përkrah Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ditën e djeshme ishte mbledhur rreth orës 16:00.
“Gazeta Blic”, nga burimet e afërta me LDK, morri vesh se arsyeja e mbledhjes së Kryesisë është çështja e marrjes së vendimit, se a do ta përkrahë Lidhja Demokratike e Kosovës, Presidentin, Hashim Thaçi që të udhëheq dialogun Kosovë- Serbi.
“Lidhja Demokratike do të mbajë mbledhjen, arsyeja është përkrahja ose jo e LDK që Thaçi të jetë kryenegociator për bisedimet Kosovë-Serbi”, i tha ky burim Gazetës Blic.
Sipas burime të “Gazetës Blic”, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike do të jetë kundër që Thaçi të udhëheq dialogun Kosovë- Serbi.
Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka cilësuar platformën e prezantuar nga qeveria për dialogun me Serbinë si të varfër dhe dokument që nuk definon as temat për diskutim, as parimet dhe as afatet kohore./Kosova Post/


