Protestat masive në mbarë Jordaninë kanë vazhduar edhe mbrëmë, shtatë ditë pasi Qeveria e këtij vendi miratoi ligjin e ri të tatimeve që parasheh taksa të reja për të ardhurat e punëtorëve.
Protesta kryesore edhe mbrëmë është mbajtur në Aman në afërsi të selisë së Qeverisë ndërsa protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në qytetet tjera, përfshirë Irbid, Er-Remse dhe Al-Kerak.
Protestat u ndoqën nën masa të larta të sigurisë ndërsa demonstrantët kërkuan heqjen e plotë të ligjit mbi tatimin, por edhe moratorium për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, karburantit dhe energjensave tjerë.
Kryeministri jordanez Hani al-Mulki të hënën dha dorëheqje tek mbreti Abdullah II i cili e pranoi dorëheqjen dhe emëroi ministrin e Arsimit Omar al-Razzaz për mandatar të Qeverisë së re.
Arsyeja për protesta ishte vendimi i javës së kaluar i Qeverisë së Jordanisë për të vendosur tatime shtesë për të gjithë të punësuarit, të ardhurat vjetore të të cilëve tejkalojnë pragun prej 8.000 dinarëve jordanezë (11.200 dollarë). Plani për vendosjen e tatimit shtesë për pagën do t’i sillte arkës shtetërore 140 milionë dollarë shtesë.