Partia Demokratike publikoi një tjetër dokument në kuadër të akuzave kundër kryeministrit Rama dhe kryebashkakut Veliaj për çështjen e teatrit. Më 12 prill 2017 në kulmin e krizës politike parazgjedhore qeveria zvogëloi Qendrën Historike të kryeqytetit, duke hequr prej hartës së mbrojtur edhe zonën e Teatrit Kombëtar.
Partia Demokratike apeloi përsëri që Presidenti Meta ta kthejë ligjin në Kuvend si antikushtetues. Por ndërkohë Top Channel mësoi se demokratët nuk i ka sytë vetëm nga lëvizjet e kreut të shtetit. Edhe pse jo funksionale, por me vetëm dy anëtarë të konfirmuar nga vetingu, juristët e forcës kryesore në opozitë e kanë gati ankimimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese. Argumenti i parë është hartimi i një ligji për një subjekt të vetëm, kompaninë Fusha, kur Ligji si koncept është normë për një numër të papërcaktuar subjektesh.
Tashmë jemi në kushtet e një akti administrativ individual dhe sipas PD kur një akt të tillë, qeveria e vesh si ligj dhe ia imponon Parlamentit, është cënuar parimi kryesor kushtetues i ndarjes së pushteteve. Përveç këtij parimi sipas PD ligji cenon edhe autonominë vendore qe e mbron po Kushtetuta. Kjo pasi ligji për pushtetin vendor lejon kalimin tek privati të tokës në pronësi të bashkisë vetëm me shumicë të cilësuar prej 3/5 të Këshillit Bashkiak.
Shumica parlamentare mori me ligj kompetencat e një organi tjetër, duke cënuar autonominë e pushtetit vendor. Sipas PD cenohet edhe parimi i sigurisë juridike, sikundër ligji për teatrim, bie ndesh me ligjin e pronave edhe me nenin 71 të MSA, kur duke i dhënë ok një kontraktimi pa garë të hapur, u pengua pjesëmarrja e kompanive shqiptare dhe europiane.
Top Channel