Presidenti Hashim Thaçi ka folur edhe një herë për marrëveshjen përfundimtare me shtetin serb.Ai gjatë gjithë kohës ka thënë se duhet të bëhen kompromise dhe se marrëveshja do të jetë e vështirë, por nuk e ka specifikuar nëse Serbisë do t’i jepet veriu në shkëmbim të kësaj marrëveshje.
“Kompromis kemi bë edhe në Rambuje, por e kemi fituar lirinë, mbi bazë të kompromisit kemi ecur edhe në Vjenë, por sot jemi të pavarur”, ka thënë Thaçi në një konferencë për media.
“Marrëveshja nuk do të jetë kush kë do ta mund, do të jetë një marrëveshje që palët do të ndihen të dinjitetshme”.
Këto komente Thaçi i ka bërë pas deklaratës së mbrëmshme të ambasadorit amerikan Greg Delawie, kur është pyetur në “Rubikon” për ndarjen apo jo të Kosovës.
“Nuk do të flas për atë se çka një element i ujdisë përfundimtare mund të jetë. Nuk do të flas se kush mendoj do të duhej t’i prijë këtij diskutimi në Bruksel. Nuk do të flas për gjërat apo hollësitë se në ç’sallë duhet të ndodhë kjo apo për trajtën e tryezës. E veçanërisht, nëse i paraprijmë diskutimit që duhet vërtetë të ndodhë këtu dhe që duhet të ketë pjesëmarrje më të madhe nga partitë politike kosovare. Të gjithë duhet të hyjnë në lojë dhe të flasin për këto gjëra”.
Thaçi tutje ka thënë se vlerëson deklarimin e sinqertë të ambasadorit Delawie, njofton Klan Kosova.
“Mendoj dhe vlerësoj deklarimin e sinqertë të Delawie duhet të merret seriozisht nga të gjithë pa dallim”.
“Një gjë ju sigurojë, marrëveshja do të jetë e dakorduar me SHBA-të dhe BE-në vetëm kjo garanci është besim për ne”.
“Kosova nuk guxon me marrë përgjegjësinë e dështimit, kush do që e merr këtë përgjegjësi do të jetë e izoluar”.
“Nëse nuk ndodh marrëveshja do të bllokohemi nga Europa”./Kosova Post/


