SI TË PYESIN ENGJUJT NË VARR?

Mos i humb

 

SI TË PYESIN ENGJUJT NË VARR?

HOLLËSITË E BESIMIT NË BOTËN E ARDHSHME

Besimi në botën e ardhshme është nga bazat më të rëndë-sishme të imanit dhe ky nuk do të realizohet e as do të plotësohet përderisa nuk përfshihen edhe këto dy gjëra:

E para: Që njeriu të besojë në botën e ardhshme përgjithësisht. E ky është minimumi që duhet të realizohet në mënyrë që të zotërohet themeli i imanit.

E dyta: Që të besojë tërë atë që na ka informuar Pejgamberi i All-llahut për ndodhitë pas vdekjes. Në faqet vijuese do të shqyrtojmë gjërat më të rëndësishme për të cilat na flasin ajetet kur’anore dhe hadithet autentike.

Sprovimi në varr dhe marrja në pyetje nga engjëjt

Jemi të obliguar të besojmë në tërë atë për të cilën na ka informuar Pejgamberi alejhis-selam lidhur me sprovimin dhe pyetjet e dy engjëjve ndaj çdo njeriu për Zotin e tij, për fenë e tij dhe për Pejgamberin e tij. Pejgamberi alejhis-selam na ka informuar, me anë të haditheve autentike, se njerëzit do të pyeten në varret e tyre dhe se çdonjërit prej tyre do t’i thuhet:

“Kush është Zoti yt?

Cila është feja jote?

Kush është Pejgamberi yt?”

Besimtari do të përgjigjet: “Zoti im është All-llahu, feja ime është Islami, ndërsa Muhammedi është Pejgamberi dhe Lajmëtari im.” Ai i cili është i hutuar do të përgjigjet: “Nuk e di, i dëgjoja njerëzit se diçka shqiptonin, andaj shqiptoja edhe unë”, pastaj do të rrihet dhe mundohet.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë: “Mu në këtë çast pashë tërë atë që nuk më është treguar gjer më tani, madje e pashë Xhenetin dhe Xhehenemin dhe më është shpallur se ju do të jeni të sprovuar në varret tuaja, me një sprovim që do të jetë i ngjashëm me sprovimin e Dexhalit.

Çdonjëri prej jush do të pyetet: “Ç’di ti për këtë njeri?” Besimtari – mu’mini ose mukini – do të përgjigjet: “Ky është Muhammedi, i Dërguari i All-llahut. Na ka ardhur me argumentin e qartë dhe me Udhëzimin, e ne i jemi përgjigjur dhe e kemi pasuar atë. Ai është Muhammedi (tri herë)” Pastaj do t’i thuhet: “Fli i qetë, ne e kemi ditur se ti fuqimisht i ke besuar atij.”

E, për sa i përket munafikut, ai do të thotë: “Nuk di, i dëgjoja njerëzit se shqiptonin diçka, andaj edhe unë shqiptoja.”

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enes bin Maliku radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë: “Kur njeriu vendoset në varr e largohen të pranishmët – e ai i dëgjon mirë rropatjet e këpucëve të tyre – do t’i vijnë dy engjëj e do ta vendosin ulur, e pastaj do ta pyesin: “Çka mendon ti për këtë njeri?” Për sa i përket besimtarit, ai do të thotë: “Dëshmoj se ai është robi i All-llahut dhe i Dërguari i Tij.”

Pastaj do t’i thuhet: “Shikoje vendin tënd në zjarr, të cilin All-llahu xhel-le shanuhu ta ka zëvendësuar me një vend në Xhenet.” Atëherë Pejgamberi i All-llahut tha: “E do t’i shohë që të dyja.” Katade thotë: “Na ka thënë se varri i tij do të zgjerohet dhe do të bëhet shtatëdhjetë llëra (bërryla), do të mbushet me gjelbërim dhe do të qëndrojë kështu gjer në ringjalljen e sërishme.”

E për sa i përket munafikut dhe kafirit, atij do t’i thuhet: “Ç’ke folur për këtë njeri?” Ai do të përgjigjet: “Nuk di, kam folur për të ashtu si flisnin njerëzit.” Pastaj do t’i thuhet: “As që ke ditur, as që ke folur.” Pastaj do të goditet me çekan të hekurt aq fort, saqë klithmën e tij do ta dëgjojnë të gjitha krijesat në afërsi të tij, përveç njerëzve dhe xhinëve.”

Buhari dhe Muslimi transmetojnë edhe nga Bera bin ‘Azibi radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi alejhis-selam ka thënë: “All-llahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme.”

Ky ajet është shpallur përkitazi me çështjen e sprovimit në varr, ku do t’i thuhet njeriut: “Kush është Zoti yt?” Ai do të përgjigjet: “Zoti im është All-llahu, e Muhammedi është Pejgamberi im.”

Këto janë Fjalët e All-llahut xhel-le shanuhu: “All-llahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme, në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse zullumqarët i shpie në humbje; All-llahu punon ç’të dojë.” (Ibrahim: 27)

Ekzistojnë shumë hadithe autentike që flasin për sprovimet e varrit dhe pyetjet e engjëjve.

LIBRI Besimi Bazat Esenca Negacioni

Muhamed Nuajm Jasin

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit