
Vanuatu, shtet i vogël në Oqeanin Paqësor me popullsi prej 270 mijë banorësh dhe Prodhim të Brendshëm Bruto prej 700 milionë dollarësh, është duke u përgatitur të padisë firmat më të mëdha të energjisë në botë me arsyetimin se kanë shkaktuar ndryshime klimatike.
Raplh Regenvanu, ministri i Jashtëm i vendit me sipërfaqe prej rreth 12 mijë kilometrash katrorë i cili përbëhet nga 82 ishuj, në një video-mesazh të shfaqur në “Samitin Virtual të Forumit të Klimës së Pambrojtur” të mbajtur online, paralajmëroi ndjekje penale për firmat e mëdha të energjisë.
Regenvanu tha se 90 firmat më të mëdha të energjisë në botë çdo vit sigurojnë të ardhura prej mbi 80 miliardë dollarë nga prodhimi dhe nxjerrja e lëndëve djegëse fosile.
“Këto të ardhura të energjisë së ndotur duhet të përdoren në shtetet në zhvillim për të zvogëluar efektet e ndryshimeve klimatike”, theksoi Regenvanu.
Sipas tij, firmat e mëdha fshehin dëmet që konsumi i lëndëve djegëse fosile shkakton ndaj mjedisit dhe ato janë përgjegjëse për dy të tretat e emetimeve të gazrave serrë në mbarë botën.
“Si qeveri, ne po shqyrtojmë të gjitha mjetet juridike brenda kornizave të juridiksioneve të ndryshme, përfshirë të drejtën ndërkombëtare, për t’ua drejtuar kostot e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit firmave të lëndëve djegëse fosile. Vanuatu është në krye të ndryshimeve klimatike. Nuk do të shpërfillen ndryshimet klimatike që shkatërrojnë Vanuatun”, theksoi ministri i Jashtëm i vendit.
Ndryshe, në vitin 2015 Vanuatu ishte goditur nga cikloni Pam me shpejtësi deri në 340 kilometra në orë, duke shkaktuar dëme prej rreth 450 milionë dollarëve (64 për qind e PBB-së) dhe viktima në zonat rurale, ku banojnë 80 për qind e popullsisë së vendit.
Ekspertët thonë se ishujt me klimë tropikale si Vanuatu dhe që gjenden larg kontinenteve, janë më të prekshme ndaj efekteve negative të ndryshimeve klimatike, duke theksuar se rritja e niveleve të detit për shkak të ngrohjes globale do të ndikojë kryesisht në ishujt e tillë të vegjël.
Edhe pse deri më sot nuk është hapur procedurë gjyqësore në nivel shtetëror ndaj firmave të energjisë për shkak të ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale, bashkitë e qyteteve San Francisco, Oakland, Baltimore dhe New York kanë paditur firmat e energjisë.
Padia e ngritur nga bashkia e New Yorkut ndaj pesë firmave më të mëdha kishte rezultuar në favor të gjigantëve energjetikë.
Duke komentuar vendimin, John F. Keenan, gjykatësi i Gjykatës Rajonale Jugore të Qarkut të New Yorkut, kishte thënë se në vend të autoriteteve gjyqësore, problemet që shkaktojnë ndryshimet klimatike duhet adresuar nga ana degëve legjislative dhe ekzekutive të shteteve./Rtv Islam/


