Mos vënia e masave të reja të Kosovës ndaj Serbisë është lajmi kryesor i pasdites në portalet më kryesore të këtij vendi.
“Kosova nuk ka vënë masa të reja kundër Serbisë”, njofton në ballinë N1 që tekstin e shoqëron me një foto të kryeministrit Haradinaj.
“Prishtina ka hequr dorë nga vënia e masave të reja ndaj Beogradit” njofton b92.
Agjencia serbe e lajmeve tanjug citon Haradinajn: “Nuk do të ndërmarrim masa shtesë ndaj Serbisë”.
Gazeta “novosti” lajmin e përcjell me pikëpyetje: “Haradinaj ka hequr dorë nga masat shtesë kundër Serbisë?”.
Shumë medie në Serbi, por edhe zyrtarë të këtij vendi, e kishin pritur me ankth përfundimin e mbledhjes se sotme të Qeverisë së Kosovës, transmeton Koha.net.
Në këtë mbledhje ishte paraparë mundësia që ndaj Serbisë, pos taksës 100 %, të vihen masa të reja reciprociteti ndër të cilat përmendeshin dhe mosnjohja e dokumenteve e tabelave të veturave nga Serbia.
Kryeministri Haradinaj ka thënë sot se masat e reja mund të vendosen nëse Serbia vazhdon sjelljet agresive ndaj Kosovës.
Mediet e Beogradit ende vazhdojnë të njoftojnë për protestat që po mbahen në veri me kërkesën që të hiqet taksa 100 % e Kosovës për mallrat e Serbisë.