
Ndryshimet e paralajmëruara në Qeveri sapo kanë ndodhur, dhe janë të bujshme, ku nëntë pjesëtarë të kabinetit janë tashmë të zëvendësuar, edhe pse të cilësuar nga kryeministri Rama si “aset i rëndësishëm” i Partisë Socialiste.
Kryeministri Rama sapo ka larguar nga Qeveria Ministren e Arsimit Lindita Nikolla (e zëvendëson Besa Shahini), Ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj (e zëvendëson Anila Denaj) Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushatin ( e zëvendëson Gent Cakaj), Ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknurin (e zëvendëson Belinda Balluku).

Ndërkohë, Niko Peleshi zëvendësohet nga Bledi Çuçi si Ministër i Bujqësisë, kurse Elva Margariti do të jetë ministrja e re e Kulturës në vend të Mirela Kumbaros.
Eduard Shalsi zëvendëson Sonila Qaton si ministër për Sipërmarrjen.
Elisa Spiropali emërohet si Ministre për Parlamentin, ndërsa Erjon Braçe emërohet si zëvendës kryeministër, i ngarkuar të ndjekë “procesin e transformimit të shërbimeve dhe për të dhënë kontributin e tij unikal në pastrimin e administratës nga hajdutët dhe parazitët”.

Mbeten në funksion vetëm ministrat Ogerta Manastirliu në Shëndetësi, Olta Xhacka në Mbrojtje dhe Blendi Klosi në ministrinë e Mjedisit dhe Etilda Gjonaj si ministre e Drejtësisë. Pandeli Majko mbetet si Ministër i Diasporës.


