Ivanov: Maqedonia po përballet me sfida dhe rreziqe të brendshme e të jashtme

Mos i humb

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij të fundvitit nga foltorja e Kuvendit, deklaroi se viteve të fundit “shteti maqedonas” po përballet me sfida, kërcënime dhe rreziqe të brendshme e të jashtme, të cilat vijnë nga “marrëveshja me Greqinë, ajo me Bullgarinë dhe nga Platforma e Tiranës”.

Para ligjvënësve të Maqedonisë, presidenti Ivanov tha se që kur mori mandatin e dytë për të ushtruar këtë funksion të lartë shtetëror ka deklaruar se do të mbrojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e vendit nga “sfidat, kërcënimet dhe rreziqet e brendshme e të jashtme”.

“Kam një arsye shumë të mirë për vendosmërinë time. Sepse, pikërisht gjatë këtij mandati të dytë, Maqedonia po ballafaqohet me kërcënime dhe rreziqe të brendshme, por edhe të jashtme të sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së saj”, deklaroi Ivanov.

Duke iu referuar politikave të qeverisë aktuale ndaj marrëveshjeve të arritura me fqinjët, Bullgarinë dhe Greqinë, presidenti i Maqedonisë theksoi se çmimi i një zgjidhjeje të këtillë të çështjes maqedonase është prishje ligjore dhe historike të popullit maqedonas, sepse siç tha ai, pa popullin, identitetin dhe gjuhën maqedonase, nuk do të kishte as çështje maqedonase.

Ivanov theksoi se teksti i kësaj marrëveshjeje është hartuar pa një konsensus kombëtar, si dhe pa dijeninë dhe pëlqimin e tij si president i Maqedonisë, ndërsa sipas tij, marrëveshja me Greqinë për t’i dhënë fund kontestit rreth emrit sfidon të drejtën e popullit maqedonas për të ekzistuar. Ai shtoi se qeveria greke vazhdimisht ka theksuar se marrëveshja nuk njeh popullin dhe identitetin maqedonas.

Ai më tej foli edhe për marrëveshjen me Bullgarinë, për të cilën tha se kur në vitin 2017 e nënshkroi ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me këtë vend fqinj, ajo fliste për historinë e përbashkët të të dy vendeve dhe popujve të tyre, që i referohet periudhës nga viti 1992 që nga njohja e Maqedonisë nga Bullgaria.

Ivanov theksoi se kjo është korniza e vërtetë historike e një marrëveshjeje që nuk i drejtohet të kaluarës, por të ardhmes, duke shtuar më tej se në vend të kësaj lejohet interpretimi i lirë i marrëveshjes dhe Maqedonia futet në labirint nga i cili vështirë të dilet, pasi siç tha ai, tani Sofja paralajmëron aneks të marrëveshjes.

Më pas, në fjalimin e tij, si sfidë të tretë për “shtetin maqedonas” pas marrëveshjes me Greqinë dhe Bullgarinë, presidenti Ivanov e përmendi të ashtuquajturën “Platforma e Tiranës”, për të cilën tha se “pavarësisht nga ajo që disa e mohojnë ekzistencën e një platformë të tillë, veprat flasin me zë të lartë për qëllimet dhe synimet”.

Këtu, Ivanov vuri në dukje Ligjin e përdorimit të gjuhëve, i cili parashikon në të gjitha organet e pushtetit shtetëror krahas gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të vendit, që në këtë rast është gjuha shqipe. Ivanov refuzoi dekretimin e këtij ligji me arsyetimin se është anti-kushtetues, por më vonë më 14 mars ky ligj sërish u votua në Kuvend.

“Dhe, ashtu sikurse me marrëveshjen e Prespës mohohet populli maqedonas dhe me interpretimin e lirë të marrëveshjes me Bullgarinë dekonstruktohet historia maqedonase, ashtu edhe me ‘Platformën e Tiranës’ dhe ligjin anti-kushtetues për përdorimin e gjuhëve bëhet përpjekje për çmontimin e shtetit”, deklaroi Ivanov.

Presidenti Ivanov më 12 maj të vitit 2014 u zgjodh president i vendit për herë të dytë, funksion të cilin do ta ushtrojë deri në muajin maj të vitit të ardhshëm, kur edhe do të mbahen zgjedhjet presidenciale në vend.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit