Bashkimi Europian dhe NATO kanë përshëndetur miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, duke e cilësuar këtë “ një hap kyç në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës”.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikë Europiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, përmes një deklarate të përbashkët përshëndetën miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Udhëheqësit politikë dhe qytetarët e treguan vendosmërinë e tyre për të arritur këtë mundësi unike historike për të zgjidhur një nga mosmarrëveshjet më të vjetra në rajon dhe me vendosmëri për të ecur para në rrugën drejt BE-së”, theksohet në deklaratën e shkruar
Ata shtojnë se BE-ja mbështet fuqishëm Marrëveshjen e Prespës “si një shembull të pajtimit në rajon dhe në Europë”.
“Përderisa presim për përfundimin e hapave që çojnë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, Bashkimi Europian mbetet e vendosur të vazhdojë të mbështesë dhe shoqërojë vendin drejt qëllimit të saj strategjik të integrimit”, thuhet në deklaratë.
Urime deri te kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, dërgoi edhe sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“E përgëzoj kryeministrin Zoran Zaev për votimin e fundit në Kuvend për Marrëveshjen e Prespës. NATO fuqishëm mbështet zbatimin e plotë të marrëveshjes, që është një kontribut i rëndësishëm në një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë”, ka shkruar Stoltenberg në llogarinë e tij në twitter.
Me mbështetjen e dy të tretave të deputetëve apo 81 vota, Kuvendi i Maqedonisë miratoi katër amandamentet me të cilat do të ndryshohet emri kushtetues në Republika e Maqedonisë së Veriut, pasi që Marrëveshja e Prespës të ratifikohet edhe nga pala greke.