Mustafa: Kosova nuk duhet t’ia besoj më këtij koalicioni qeverisjen, nuk duhet t’ia besoj arkën e shtetit

Mos i humb

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj situatës së krijuar në vend, ndërsa ka thënë se koalicioni qeverisës po e kolapson vendin.

Lideri i LDK-së, Mustafa, duke folur për gjendjen e rëndë në të cilën është futur Kosova, ka përmendur edhe grevën në arsim, shërbyesve civilë, doganierëve, kirurgëve, shantazhin e PSD-së, ndaj Qeverisë për votimin e Buxhetit, komunat veriore pa kryetar etj.

Për më tepër ai ka shkruar se ky koalicion në krye me PDK-në është dëm për Kosovën.

“Kosova nuk duhet t’ia besoj edhe më tutje këtij koalicioni qeverisjen e vendit; nuk duhet t’ia besoj dialogun për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, nuk duhet t’ia besoj arkën e shtetit…Qeverisja e këtij koalicioni, në krye me PDK-në, është e dëmshme për Kosovën”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Postimi i plotë i tij në Facebook:

Të nderuar qytetarë,

Koalicioni, që rrihte gjoks se do të merr vendime të mëdha, po e kolapson Kosovën.

Po mbushen tre javë me shkolla e fakultete te mbyllura, e këta vazhdojnë të bëjnë pazare;

Mijëra pacient presin për tu operuar, ndërkaq kirurgët vazhdojnë grevën;

Të pakënaqur me paga shprehen edhe gazetarët e RTK-së, doganierët, infermierët, punonjësit e shërbimit korrektues…

PSD e shantazhon Qeverinë me Ligjin për paga, Ligjin për dialogun, shkarkime e ngarkime… ashtu siç e shantazhonte Lista Serbe;

Po hyjmë në muajin e tretë, që katër komuna në veri nuk e pranojnë sovranitetin shtetëror;

Ky koalicion dështoi në liberalizimin e vizave, në anëtarësimin e Kosovës në Interpol, dështoi me kontratën e Kosovës së Re, sepse u tërhoq financuesi kryesor – Banka Botërore, po e shkatërron Telekomin me punësime partiake sikurse edhe ndërmarrjet e tjera publike;

Ky është koalicioni me Qeverinë me 1/3 e ministrave me aktakuza me mbi 80 zëvendësministra;

Ky koalicion ia humbi Kosovës 13 njohje;

Korrupsioni, sipas matjeve ndërkombëtare është në rritje;

Marrëdhëniet me SHBA dhe BE janë përkeqësuar.

E gjithë kjo nuk habitë. Janë këta të njëjtit që për dy vite e gjysmë e kallën Kosovën, erdhën në pushtet me dhunë; kundërshtuan Marrëveshjen për demarkacionin deri sa erdhën në pushtet; janë të njëjtit që organizuan anulimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por nuk arritën, në dhjetor të vitit 2017 dhe që nuk mërziteshin as për BE-në e as për SHBA-të.

Kosova nuk duhet t’ia besoj edhe më tutje këtij koalicioni qeverisjen e vendit; nuk duhet t’ia besoj dialogun për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, nuk duhet t’ia besoj arkën e shtetit…

Qeverisja e këtij koalicioni, në krye me PDK-në, është e dëmshme për Kosovën.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit