Balla: Bashkëpunim ndërpartiak për Reformën Zgjedhore

Mos i humb

Bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian, Taulant Balla theksoi sot angazhimin e mazhorancës për të mos ndërhyrë në çështjet e drejtësisë, duke respektuar pavarësinë e institucioneve.

Në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, Balla  njoftoi se Kuvendi do të miratojë një rezolutë që vlerëson rezultatet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe kundër Krimit të Organizuar, duke i cilësuar si arritje të rëndësishme dhe duke inkurajuar vazhdimin e punës së saj.

Balla i bëri thirrje opozitës që ta votojë nesër në Kuvendin e Shqipërisë rezolutën, pikërisht për të treguar se drejtësia nuk është e mirë dhe duhet përshëndetur kur ngre akuza kundër kundërshtarit, dhe e keqe kur ngre akuza ndaj kolegut tënd.

Lidhur me institucionet e drejtësisë, Balla garantoi se duhet të jetë shumë e qartë se mazhoranca qeverisëse kurrë nuk do të bëjë ndonjë deklaratë apo të hyjë për asnjë rast në meritën e një çështjeje të drejtësisë.

Në fokus të këtij takimi ishte edhe reforma zgjedhore, ku Balla kërkoi bashkëpunim ndërpartiak për të adresuar problematikat e zgjedhjeve të 11 majit, të cilat u vlerësuan nga OSBE/ODIHR si konkurruese dhe të administruara profesionalisht.

Ai theksoi nevojën që Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore të nisë menjëherë punën, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme të përmbushin standardet më të larta demokratike.

“Kam dëgjuar që kryetari i Partisë Demokratike ka komentuar lidhur edhe me propozimet tona për reformimin e Kuvendit, numrit. Madje ka dalë edhe me një propozim për të pasur një senat. Le të diskutohen të gjitha këto si pjesë e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore”, shtoi ai.

Balla theksoi se “sot Shqipëria ka nevojë që të gjitha palët të punojnë së bashku në rrugën e ribashkimit të Shqipërisë me Europën”.

Për sa i përket përsëri zgjedhjeve, Balla theksoi se “një prej arritjeve më të rëndësishme të zgjedhjeve të fundit në Shqipëri ishte fakti që, për herë të parë, votuan edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit”.

“Edhe pse koha në dispozicion për t’u regjistruar dhe informuar mbi procesin ishte e shkurtër, fakti që mbi 300 mijë shqiptarë treguan interes dhe mbi 200 mijë morën pjesë në zgjedhjet e 11 majit është një arritje e konsiderueshme”, shtoi ai.

“Për shqiptarët, integrimi nuk është thjesht një marrëdhënie kontraktuale negociatash, por është ribashkim me Europën, ku na takon të jemi, si një prej kombeve më të vjetra të kontinentit. Është moment historik për Shqipërinë që ta shohim të gjithë bashkë, anëtarësimin në Bashkimin Europian si një fitore e të gjithë shqiptarëve, jo si fitore e shumicës dhe humbje e pakicës”, shtoi Balla.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit