Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka bërë të ditur se dy nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk kanë nisur të zbatojnë reformat e kërkuara në kuadër të Planit të Rritjes. Sipas raportimeve, këto vende janë Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht për shkak të mungesës së institucioneve efektive.
“Jemi mbledhur sot për të vlerësuar progresin, për të parë çfarë ka shkuar mirë me Planin e Rritjes dhe në cilat fusha duhet të bëjmë më shumë. Janë kaluar dy vjet nga katër që zgjat implementimi i planit, dhe është momenti i duhur për të diskutuar së bashku”, tha Kos gjatë samitit në Tiranë.
Në samit, nga Kosova merr pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Raporti i BE-së për progresin vëren se Kosova nuk ka ratifikuar marrëveshjet që do t’i mundësonin përfitimin nga Plani i Rritjes, për shkak të “ngërçit politik”. Që nga zgjedhjet e 9 shkurtit, vendi nuk ka formuar ende ekzekutivin e ri, gjë që ka bllokuar miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
Plani i Rritjes, një paketë investimesh prej 6 miliardë eurosh, synon të përshpejtojë rrugën e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian. Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë euro, duke e bërë atë përfituesen më të madhe për kokë banori nga këto mjete.


