Begaj: Ndryshimet demografike po prekin themelet e shoqërisë

Mos i humb

“Valës së ndryshimit demografik duhet t’i paraprijmë me strategji afatgjata dhe politika të mirëmenduara e të koordinuara”, deklaroi presidenti Bajram Begaj, sipas të cilit “zhvillimet e tanishme dhe ato të pritshme demografike prekin themelet e shoqërisë sonë: sigurinë, familjen, punësimin, mirëqenien dhe perspektivën zhvillimore”.

Kreu i Shtetit bëri thirrje për zbatimin me përpikëri dhe pa vonesa të këtyre strategjive për të shmangur pasojat që mund të vijnë në të ardhmen. “Parashikimet pesimiste dhe aktualiteti shqetësues demografik tregojnë se nëse vonohemi apo gabojmë sot, nuk do të kemi një mundësi të dytë nesër”, tha ai.

Këto mesazhe presidenti i përcolli përpara akademikëve nga Shqipëria dhe Kosova, të mbledhur në Tiranë për të diskutuar një nga sfidat më të mëdha të zhvillimit: ndryshimet demografike dhe ndikimin e tyre në tregun e punës.

Duke analizuar pasojat në këtë treg, Begaj theksoi se nga njëra anë mungon fuqia punëtore aktive, ndërsa nga ana tjetër papunësia e të rinjve mbetet e lartë. “Kjo kontradiktë, mungesë punëtorësh dhe papunësi njëkohësisht, është një paradoks që kërkon politika të reja, vizionare dhe afatgjata. Ndërkohë, ka kërkesa të mëdha për punonjës me aftësi të reja në teknologji, informacion, në shërbime të specializuara dhe inovacion. Ky është një ndryshim strukturor që kërkon përgjegjësi në menaxhim, që zhvillimi të ruajë karakterin social dhe kohezionin kombëtar”, u shpreh Presidenti.

Ai nënvizoi se pasojat demografike kanë ndikim të gjerë edhe në ekonominë kombëtare dhe sigurinë e vendit. “Ato sjellin uljen e bazës ekonomike dhe tatimore të shtetit, uljen e aftësisë prodhuese të fuqisë punëtore dhe mbingarkojnë sistemet e pensioneve dhe të shëndetësisë. Shpopullimi i zonave rurale dhe kufitare dëmton kohezionin social dhe kontrollin territorial, ndërsa emigracioni i të rinjve zvogëlon kapitalin njerëzor dhe kapacitetin mbrojtës të vendit”, theksoi Begaj.

Duke vlerësuar faktin se në Shqipëri dhe Kosovë janë ndërmarrë politika për rritjen e lindshmërisë, përmirësimin e cilësisë së jetës, kujdesin ndaj të moshuarve dhe integrimin e faktorëve demografikë në planifikimin ekonomik kombëtar, Presidenti theksoi rëndësinë e aftësimit të fuqisë punëtore, riintegrimit të qytetarëve të rikthyer nga emigracioni, frenimit të braktisjes së zonave rurale dhe shfrytëzimit të Diasporës për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm në vend.

Në përfundim, Begaj e cilësoi prioritet bashkëpunimin në të gjitha fushat mes Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, duke theksuar se vetëm përmes këtij bashkëpunimi mund të krijohen më shumë mundësi dhe shpresë për të rinjtë.

“Ne kemi nevojë për një treg më të bashkuar dhe më të koordinuar, që i gjithë rajoni të bëhet më tërheqës për investime dhe projekte të përbashkëta zhvillimi. Në këtë kontekst, procesi i integrimit evropian mbetet rruga më e qëndrueshme për zhvillim afatgjatë dhe për zbutjen e disa prej shkaqeve të emigracionit”, përfundoi Presidenti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit