Begaj te sipërmarrësit grekë: Shqipëria ofron hapësira për investime

Mos i humb

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në takimin e Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri me rastin e “Ditës së Vasilopitës”

Në këtë takim me sipërmarrësit grekë në Tiranë, Presidenti Begaj u shpreh për një dinamikë të re të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë përmes nxitjes së projekteve të përbashkëta.

“Unë mendoj se ka mundësi për më shumë dhe ka ende hapësira të mëdha për të rritur investimet e ndërsjella”, theksoi Kreu i Shtetit, ndërsa garantoi se “Shqipëria ofron një terren solid për çdo investitor”.

Në këtë aspekt, Presidenti i Republikës renditi lehtësitë që ofron Shqipëria, me theks në ekonominë dinamike, monedhën e qëndrueshme, sektorë të shëndetshëm bankar dhe borxh publik që po menaxhohet me kujdes.

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e kompanive elitare që operojnë në sektorët më strategjikë të vendit tonë.

Kreu i Shtetit u shpreh se prania e investitorëve grekë në fusha, si: sistemi bankar, energjia, industria, ndërtimi dhe tregtia, përbën një shtyllë të rëndësishme për qëndrueshmërinë tonë ekonomike dhe dëshmon për besimin e ndërsjellë të ndërtuar ndër vite.

“Mbështetja e Greqisë mike në procesin tonë të integrimit është dëshmi e një miqësie të sinqertë, e cila po përkthehet në një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë ekonomik”, theksoi Presidenti i Republikës.

Në fushën e tregtisë, zhvillimet janë inkurajuese. Greqia vijon të mbetet një nga partnerët tanë kryesorë, duke u renditur në radhët e para të shkëmbimeve të mallrave dhe shërbimeve. Kemi një rritje të vazhdueshme të eksporteve reciproke, çka tregon se tregjet tona po bëhen gjithnjë e më plotësuese për njëri-tjetrin”, shprehu Kreu i Shtetit.

Biznesi grek në Shqipëri u vlerësua nga Presidenti i Republikës edhe për angazhimin në dialogun publik dhe në përmirësimin e kuadrit rregullator si një dëshmi e partneritetit të progresit të Shqipërisë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit