Berisha: Korrupsioni është pesëfishuar

Mos i humb

Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, akuzoi SPAK-un dhe qeverinë për bllokimin e hetimeve dhe për rënie drastike të ndëshkimeve për korrupsion. Ai tha se “në vitet 2008-2009 u dënuan 630 persona për korrupsion, ndërsa sot janë dënuar tre herë më pak”.

“Në dy vite, sipas raportit të Altin Troplinit dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, janë dënuar gjithsej 199 persona për korrupsion, dhe një pjesë e tyre janë për krim të organizuar. Pra, tre herë më pak”,  deklaroi Berisha.

Sipas tij, arsyet e kësaj rënieje lidhen me “pazaret që bëhen brenda SPAK-ut me dosjet e hetimit”.

“Tani nuk lëvizin dosjet, sepse aty bëhen pazare. Zyrtari hajdut që ka vjedhur qytetarët, një pjesë të parave i përdor për të blerë SPAK-un”, akuzoi Berisha, duke shtuar se “prokurorët që quhen të pavarur, në fakt bëjnë pazare me dosjet”.

Kreu i opozitës u shpreh se në periudhën kur ishte në qeveri, “task-forca kundër korrupsionit funksiononte si grup i bashkuar hetimor, që nuk lejonte askënd të mbyllte dosjet”.

“Pse më herët janë dënuar 630 persona? Sepse përpara ishte task-forcë. Kjo do të thotë që nuk e mbyllte dot dosjen as prokurori, as polici, as doganieri. Të gjithë ishin bashkë në hetim”,  tha ai.

Berisha akuzoi se sot “dosjet manipulohen, falsifikohen dhe hiqen dokumente prej tyre”, duke e cilësuar situatën “tmerrësisht alarmante për drejtësinë dhe shtetin ligjor”.

Ai hodhi poshtë pretendimet se në periudhat e mëparshme nuk ishin ndëshkuar zyrtarë të lartë.

“Janë dënuar dy kryeministra dhe disa zëvendëskryeministra. Në vitin 2009 u hoqën imunitetet dhe ata u përballën me drejtësinë. Kishte ligj që asnjë ministër nuk mund të kryesonte autoritete kontraktuese, ishte me ligj e ndaluar”.

Në fund të fjalës së tij, Berisha tha se “ligji dhe kontrolli institucional u shkatërruan pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës”, duke shtuar se “sot drejtësia është kthyer në treg ku dosjet mbyllen me ryshfet dhe me qese parash”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit