Berisha sulmon Ballukun: Paratë e qytetarëve të shpenzuara pa masë për aeroportin e Vlorës

Mos i humb

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar sot para mediave projektin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar skemën financiare dhe menaxhimin si “krim ndaj shqiptarëve” dhe duke akuzuar qeverinë për plane të koordinuara për përfitime të paligjshme.

Sipas Berishës, katër kompani turke, duke menduar se në aeroport do të kishte “më shumë zogj se pasagjerë”, kanë kërkuar garanci prej 120 milionë eurosh, ndërkohë që kostoja e parashikuar për ndërtimin ishte llogaritur rreth 105 milionë euro.

“Duhet të deklaroj këtu se 2 ministra refuzuan firmën e kësaj kontrate. E refuzoi Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, dhe e refuzuan për shkakun se kompania kërkonte 120 mln euro pagesa nga qeveria edhe sikur asnjë avion të mos fluturonte në këtë aeroport pas përfundimit të tij. Një çmenduri,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se projekti për aeroportin e Vlorës përbën rrezik të lartë ekonomik dhe etik, duke akuzuar zyrtarët që e mbështesin se synojnë “të mbushin valixhet me paratë e taksapaguesve”. Në fjalimin e tij Berisha iu referua edhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, me epitete kritike: “Të dalësh të kapardisesh si ‘Lubia’… po ndërtojmë në Vlorë aeroportin më të madh të Ballkanit, duke dëshmuar injorancën më të madhe dhe babëzinë më të tmerrshme.”

Berisha vuri në dukje, si argument të tij kundër ndërtimit të menjëhershëm të një aeroporti të madh në Vlorë, edhe faktin demografik: sipas tij, zona përreth ka rreth 170 mijë banorë aktualë për një investim të tillë madhor. Ai propozoi strategjinë e ndërtimit me faza, duke sjellë si shembull aeroportin e Tiranës, i cili sipas tij është ndërtuar në faza dhe është zgjeruar gradualisht me shtesa dhe përmirësime.

“Logjika ekonomike dhe e gjithanshme imponon ndërtim me faza… por që në fillim të na thuash se do të ndërtojmë aeroportin më të madh në Ballkan për të mbuluar vjedhjen e tmerrshme që ke planifikuar për të bërë, është e papranueshme,” deklaroi Berisha, duke krahasuar rastin me projektin e aeroportit të Kukësit, për të cilin tha se është kthyer “në park voltaik”.

Nga ana e tij, Berisha theksoi nevojën për transparencë dhe hetim të ofertave kontraktuale dhe të garancive financiare të kërkuara nga kompanitë e huaja, dhe paralajmëroi se PD do të qëndrojë vigjilente mbi çështjen.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit