Është mbledhur këtë të enjte Konferenca e Kryetarëve për të shqyrtuar kërkesat e depozituara nga Partia Demokratike, lidhur me ngritjen e disa komisioneve hetimore, mes të cilave për çështjen e McGonigal dhe për zgjedhjet e 11 Majit. Por mbledhja e sotme është shoqëruar me debate.
Nënkryetari Agron Gjekmarkaj ka akuzuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe po ashtu kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, se po marrin vendime kundër rregullores, po e shkelin atë dhe po anashkalojnë opozitën në veprimtaritë e Kuvendit.
Dhe në fund, dje folëm për Kosovën, por edhe aty mbetët të kompleksuar nga 8 Nëntori 1941, kur Miladini e Dushani themelonin partinë tuaj duke i futur thikën pas shpine çështjes kombëtare! Zoti Balla, dje thatë që serbët për të na sharë thërrisnin Sali Berishën, e vërtetë dhe kjo, se ata Sali Berishën e njohin për armik, për patriot shqiptar! Tani, zoti Manja, jeni i lirë të më dënonin edhe mua me nja 25 ditë, sepse si ka ardhur puna, mund të ngrini si shqetësim prishjen e qejfit, të humorit dhe të vizioneve të Edi Ramës për Shqipërinë 2030!”, është shprehur Gjekmarkaj.
“Po merrni peng Parlamentin, po i bëni atentat opozitës”
Deputet demokrat ka vijuar përsëri akuzat, duke deklaruar se Parlamenti është marrë peng dhe se po i bëjnë atentat opozitës.
“Zoti Kryetar, të nderuar kolegë të dy krahëve, më shumë sesa si përfaqësues i opozitës, si qytetar i këtij vendi e përjetoj me shqetësim dhe dhimbje të thellë këtë që po ndodh me Parlamentin dhe fjalën të cilën e keni marrë peng! Ky është një atentat që po i bëni kësaj shoqërie! Kuvendi është pronë e saj!
Ju po përpiqeni të depersonalizoni Opozitën, por në fakt po depersonalizoni vetveten. Ju nuk e kuptoni në këtë turravrap se, duke zvogëluar liritë dhe hapësirat e opozitës, keni ngushtuar liritë dhe hapësirat tuaja jetike, politike e njerëzore!“, tha Gjekmarkaj.
Peleshi: Gjuha juaj ka kaluar çdo kufi!
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi iu përgjigj gjatë debatit deputetëve të opozitës, duke iu thënë se gjuha e përdorur nga ata në Kuvend i ka kaluar kufijtë: “Gjuha që u përdor dje në sallën e Kuvendit ka qenë e dhunshme dhe e turpshme, përtej çdo caku të pranueshëm. Edhe kur vjen nga opozita, edhe në kontekstin e opozitarizmit, është e papranueshme. Ajo që ndodhi dje nuk mund të fshihet pas finesës suaj letrare.”
Peleshi u shpreh se standardet e parlamentarizmit europian, janë ato që duhet t’i udhëheqin në çdo veprim, në çdo dalje dhe në çdo debat. Ai shtoi se është treguar mjaft i duruar deri më tani: “Për sa më përket, gjatë gjithë drejtimit tim dhe në mbarë karrierën time politike, mund të akuzohem vetëm për durimin e tepruar. Kam treguar një durim të jashtëzakonshëm dhe nuk jam marrë, e as do të merrem, me sulme personale ndaj askujt.”
Në axhendën e sotme të konferencës së kryetarëve, janë kërkesat e Partisë Demokratike “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal”, ajo për “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 maj 2025”. Po ashtu, pjesë e rendit të ditës ishte dhe kërkesa për “Zhvillim të mocionit me debat” lidhur me programin e qeverisë, që nuk u diskutua në Parlament në seancën e parashikuar për shkak të përplasjeve me opozitën.