Partia Demokratike akuzon Bashkinë e Durrësit për një tjetër aferë korruptive me kontrata për depozitimin e mbetjeve urbane, duke i dhënë miliona euro një kompanie që ndodhet nën hetim dhe sekuestro nga SPAK.
Në një deklaratë për shtyp këtë të shtunë zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tha se depozitimi i mbetjeve urbane në Durrës është kthyer në një “histori të re të dyshuar korrupsioni”, me kontrata pa transparencë dhe me fitues të paracaktuar.
Depozitimi i mbetjeve urbane në Durrës është kthyer në një tjetër histori të dyshuar korruptive, me kontrata pa transparencë dhe me miliona euro që përfundojnë në llogaritë e një kompanie që ndodhet nën sekuestro për shkak të hetimeve nga SPAK”, deklaron Vangjeli.
Sipas saj, më 8 tetor 2021, Bashkia Durrës ka lidhur një kontratë me negocim pa shpallje me kompaninë Integrated Energy BV SPV, me vlerë rreth 13.5 milionë euro për katër vjet, për depozitimin e rreth 320 mijë ton mbetjesh.
PD deklaron se pas skandalit me inceneratorin inekzistent dhe kallëzimit penal të bërë nga opozita, SPAK nisi hetimet për kompaninë Integrated Energy BV SPV, e cila aktualisht ndodhet nën masën e sekuestros preventive.
Pavarësisht kësaj situate, më 14 tetor 2025, Bashkia Durrës ka shpallur sërish fituese të njëjtën kompani, për një tjetër procedurë prokurimi-sërish me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës- me objekt ‘Depozitimi i mbetjeve urbane, Bashkia Durrës’, me një fond limit prej 6.2 milionë euro për një afat 3-vjeçar. Vlera fituese ka qenë 100% e fondit limit, ose rreth 7.4 milionë euro me TVSH”, thotë ajo.
PD thekson se ky tender ngre disa pikëpyetje serioze:
Mungesë transparence-nuk ka asnjë informacion mbi sasinë e pritshme të mbetjeve apo specifikimet teknike të shërbimit. Dyshime për abuzim me procedurat e prokurimit-përdorimi i procedurës me negocim pa shpallje paraprake nuk justifikohet ligjërisht.
Sipas nenit 47 të Ligjit për Prokurimin Publik, kjo procedurë lejohet vetëm në raste të veçanta, si mungesë ofertash të vlefshme, arsye teknike të pamundësisë së konkurrencës, apo nevoja ekstreme të paparashikueshme-asnjë nga këto kushte nuk është i zbatueshëm në rastin konkret.
Mospërputhje financiare-në kontratën e vitit 2021, vlera ishte rreth 2.8 milionë euro në vit, ndërsa në tenderin e vitit 2025 shkon në rreth 2 milionë euro në vit. Nuk ka asnjë sqarim nëse kjo diferencë lidhet me uljen e sasisë së mbetjeve apo me arsye të tjera”, deklaron Vangjeli.
Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të hetojë me urgjencë këto kontrata, të cilat-sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit – nuk garantojnë qëndrueshmëri financiare, pasi të ardhurat e krijuara nuk mbulojnë shpenzimet e shërbimit.
Edhe më shqetësues është fakti se incenerimi i mbetjeve nuk kryhet, pasi inceneratori nuk ekziston”, shprehet Vangjeli.


