Dialogu për krijimin e qeverisë, Vjosa Osmani: Kosova nuk është e izoluar nga partnerët strategjikë

Mos i humb

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila qëndron këto ditë në Berlin në një intervistë për DW flet lidhur me raportet aktuale ndërkombëtare të Kosovës, procesin e dialogut dhe krijimin e mazhorancës për qeverinë.

DW: Zonja presidente, mirë se vini në Berlin. Ndodhemi 100 metra larg Portës së Brandenburgut, e cila ka simbol të fortë, sepse lidhet me disa momente historike me shumë rëndësi: E para është triumfi në kohën e Prusisë. Pastaj vjen koha e ndarjes së Gjermanisë edhe pastaj vjen koha e lirisë dhe e paqes. Ku është Kosova ose në cilën prej këtyre fazave jemi në Kosovë?

Vjosa Osmani: Kosova natyrisht është në fazën e lirisë dhe paqes. Do të thoja që sfidat në mbrojtjen e lirisë dhe të paqes nuk ndodhin vetëm njëherë. Dhe kjo vërtetohet sidomos në kontinentin europian, ku sfidat e sigurisë janë të mëdha edhe sot, dhe pas pushtimit rus ndaj Ukrainës, ne e kemi parë që të gjithë, sidomos ne që kemi përjetuar luftë dhe që kemi në fqinjësinë tonë shtete agresore, që mbrojtja e lirisë dhe mbrojtja e paqes janë punë të përditshme, nuk përfundojnë me një triumf. Ato duhet vazhdimisht të mirëmbahen, ato duhet vazhdimisht të ushqehen, duhet vazhdimisht të mbrohen me çdo kusht dhe pavarësisht çmimit të lartë që duhet të paguhet, sepse gjithmonë ka forca, të cilat dëshirojnë t’i minojnë këto arritje, pra lirinë, paqen dhe demokracinë, dhe ne duhet si demokraci që jemi, të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e tyre.

DW: Një prej sfidave që keni përmendur janë edhe provokimet që vijnë nga shtetet e rajonit. Ju Serbinë e keni quajtur si dora e zgjatur e Rusisë. Ka pasur vërtet rreziqe konfliktesh, për të cilat ka folur edhe presidenti Trump, mes Kosovës dhe Serbisë?

Vjosa Osmani: Më mirë të them, mes Serbisë dhe Kosovës. E dini që sikur ta thoja këtë para vitit 2023, ndoshta shumë njerëz nuk do ta merrnin edhe aq seriozisht. Mirëpo pas shtatorit 2023, ku Serbia tentoi një akt agresioni kundër Kosovës, dhe nëpërmjet grupeve terroriste dhe paramilitare të cilët i futi në Kosovë, kishte për qëllim të aneksonte veriun e Kosovës, sipas planeve të Putinit dhe metodave të tij. Tashmë është e qartë që Serbia e ka pikërisht atë qëllim, dhe në arritjen e atij qëllimi Serbia vazhdimisht përdor taktika destabilizuese dhe jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër Bosnjë e Hercegovinës dhe shteteve të tjera në rajon. Pra, është e qartë që Serbia vazhdon të jetë shtet agresor, vazhdon të jetë dorë e zgjatur e Putinit, sepse është qëllim i Rusisë dhe ka qenë tradicionalisht dhe historikisht qëllim i Rusisëqë të destabilizohet Ballkani Perëndimor, si mjet destabilizimi për gjithë kontinentin europian. Nuk është që ato gjëra vetëm po i themi, ato gjëra kanë ndodhur në shtator 2023. Pastaj në nëntor 2024. Po po, akt agresioni ka qenë në Banjskë. Në nëntor 2024 ka pasur sulm në Ibër Lepenc, mirëpo qëllimi ka qenë që të shkatërrohen mjetet jetike nëpërmjet të cilave Republika e Kosovës furnizohet me ujë, me energji elektrike, me ngrohje e të tjera dhe nëpërmjet kësaj të dëshmohet se përdoren edhe metoda hibride të sulmeve ndaj Kosovës, jo vetëm ajo ushtria tradicionale që ne e kemi parë në vitet 90-të. Serbia vazhdimisht i provon këtu. Ka pasur tendenca destabilizimi edhe sivjet në pranverë, me ndihmën e aleatëve tanë i kemi parandaluar. Tani ka shumë që nuk duan të tregojnë publikisht se çfarë ka ngjarë. Unë i kam lexuar raportet e institucioneve tona, e di çfarë ka synuar Serbia, e di çfarë ka synuar.

DW: Por as ju me siguri, nuk jeni e hapur të flisni për këto…

Vjosa Osmani: Po këto janë çështje, të cilat janë të rregulluara me ligj dhe kur informacionet janë të klasifikuara, ne e kemi për detyrë. Natyrisht unë si presidente kam të drejtë të deklasifikoj informacione, mirëpo mendoj që nuk është e drejtë që t’ia vështirësojmë punën institucioneve tona të sigurisë. Ato duhet të vazhdojnë të mbledhin informata, ato duhet të vazhdojnë të jenë të gatshëm që të na informojnë neve si institucione, por edhe aleatët tanë në mënyrë që të parandalojmë çdo tendencë destabilizuese të Serbisë.

DW: Megjithatë, kur jemi tek raportet me Serbinë, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, të gjithë kanë kërkuar vazhdimin e dialogut edhe arritjen e një marrëveshjeje. Mendoni se vërtetë është e mundur arritja e marrëveshjes me Serbinë në këtë konstelacion forcash politike?

Vjosa Osmani: Në Kosovë, forcat politike në Kosovë nuk kanë qenë kurrë pengesa për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila fokusohet në njohje të ndërsjelltë. Pra, kurrë problemi nuk ka qenë në Kosovë. Pavarësisht cilat forca politike e kanë udhëhequr Kosovën, gjithnjë Kosova gjatë tërë dialogut nga viti 2010 e tutje, kanë qenë shumë konstruktive në procesin e dialogut. Nuk ka qenë Kosova që e ka bllokuar. Forcat politike të Serbisë janë problem. Unë nuk kam shpresa të mëdha. Natyrisht, ka njerëz në Bashkimin Europian që besojnë se Vuçiçi do të tregohet konstruktiv. Unë nuk kam aspak besim që nga ky njeri mund të pritet konstruktivitet, sepse e ka dëshmuar që është i interesuar për dhunë dhe destabilizim dhe është i interesuar që ta kthejë jo vetëm Kosovën, por ta kthejë gjithë rajonin tonë mbrapa në vitet 90-të.
Natyrisht ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë. Ama, nëqoftëse shihni numrin e marrëveshjeve që Serbia i ka nënshkruar në dialogun e Brukselit, mbi 2/3 nuk i ka zbatuar kurrë. Marrëveshja e fundit, propozimi gjermano-francez, i cili pastaj u bë propozim i Bashkimit Europian, është ofruar që të nënshkruhet nga Kosova, mirëpo nuk është pranuar nënshkrimi i asaj marrëveshjeje nga Serbia. Pra, këtu dihet qartë se kush po e bllokon procesin. Dhe të kthehemi te pyetja juaj, që SHBA-të dhe BE-ja po kërkojnë që të rikthehemi në dialog. Kosova nuk ka asgjë kundër dialogut. Kosova i përgjigjet çdo thirrjeje për të marrë pjesë në dialog dhe ne jo vetëm që marrim pjesë, por ne dhe i pranojmë marrëveshjet duke mos shkelur sovranitetin e Kosovës, por duhet ditur që ato marrëveshje kanë kompromise në to dhe kanë kosto të lartë politike, megjithatë janë marrëveshje që janë pranuar nga Kosova, por është Serbia ajo që e ka bllokuar procesin gjithnjë.

DW: “I pranojmë marrëveshjet”, thatë ju. E pranoni dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe?
Vjosa Osmani: Marrëveshja e cila quhet propozimi gjermano-francez, që pastaj ka pasur edhe aneksin e “Ohrit”, ndër të tjera parasheh në nenin 7 dhe në nenin 10, edhe një gjë të tillë. Mirëpo si presidente e vendit, në asnjë mënyrë nuk pranoj asnjë Asociacion që jep kompetenca ekzekutive për komunat serbe dhe asnjë Asociacion që do të binte ndesh me kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me akt-gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Pakoja e Ahtisarit dhe kushtetuta e Kosovës lejojnë bashkëpunimin ndërmjet komunave. Një bashkëpunim i tillë do të ishte në rregull, ama jo një bashkëpunim që i jep kompetenca ekzekutive një entiteti të ri, i cili del jashtë sistemit tonë kushtetues, sepse ai është i rrezikshëm dhe propozimi aktual, draft-statuti aktual që ishte propozuar nga zoti Lajçak në atë kohë, për fat të keq i përmban disa dispozita të cilat, si vlerësim i imi si presidente e vendit, janë edhe në kundërshtim me kushtetutën, edhe në kundërshtim me akt-gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

DW: Prandaj ju pyeta dhe për dialogun, sepse Kosova është një vend i izoluar për momentin. Ju po i quani masa, dikush i quan ndryshe. Çfarë do të bëni ju për heqjen e izolimit të Kosovës? Sepse dhe Shtetet e Bashkuara e kanë ndërprerë dialogun strategjik, ose më mirë të them, procesin. Si e shihni ju pozitën e sotme diplomatike dhe ndërkombëtare të Kosovës?

Vjosa Osmani: Ky është jo vetëm një konstatim totalisht i gabuar, por është një konstatim që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Dhe për dallim prej konstatimit tuaj që Kosova kinse qenka vend i izoluar, dhe që nuk keni fare argumente për një gjë të tillë, unë kam me mijëra argumente pse Kosova në këto pesë vite ka pasur dyert më të hapura sesa në çdo periudhë tjetër. Ma gjeni një periudhë tjetër ku Kosova është ftuar në secilin forum ndërkombëtar. Unë si presidente dhe udhëheqëse e politikës së jashtme: nuk ka organizim ndërkombëtar ku nuk kam qenë e ftuar për t’i dhënë zë Kosovës dhe për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës, përfshirë edhe në samitin e NATO-s, ku Kosova kurrë në histori nuk ka qenë më parë e ftuar. Nëqoftëse ke çdo derë hapur, në qoftë se ke besimin dhe përkushtimin e secilit lider shtetëror, nuk po flas tani për shtete si Rusia dhe armiqtë e Kosovës, po flas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po flas për Gjermaninë, po flas për Francën, po flas për shtetet në kontinente të largëta, me të cilat asnjë president tjetër paraprak nuk ka ndërtuar marrëdhënie të afërta, dhe në qoftë se udhëheqësja e politikës së jashtme të Kosovës ka arritur që të jetë e pranishme deri në këtë masë, si mund të quhet Kosova shtet i izoluar?
Sa i përket dialogut strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë thënë edhe në intervistë, që ndërprerja e planifikimit të dialogut strategjik nuk është kundër popullit të Kosovës, dhe njëkohësisht kanë treguar publikisht që do ta vazhdojnë bashkëpunimin me presidenten e Republikës së Kosovës dhe ne këtë partneritet po e vazhdojmë. Në fushën e mbrojtjes, si komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës, jam siguruar që asnjë projekt në fushën e mbrojtjes mos të ndërpritet me Shtetet e Bashkuara dhe po e vazhdojmë në përmasa që nuk ka qenë më herët.

DW: Të kthehemi tek e diela. Çfarë prisni nga seanca e ardhshme e parlamentit të Kosovës? Do të ketë qeveri ditën e diel, apo jo? Dhe cili është qëndrimi juaj ndaj të gjithë procesit që po zhvillohet rreth krijimit të qeverisë?

Vjosa Osmani: Nuk dihet në qoftë se të dielën do të ketë seancë të kuvendit ose jo, sepse seanca e kuvendit ftohet vetëm në qoftë se krijohen 61 votat e nevojshme nga i mandatuari për kryeministër, zoti Kurti. Në qoftë se kjo do të ndodhë apo jo, është tërësisht në duart e partive politike dhe për momentin nuk mund të parashikoj, edhe pse e diela është shumë afër, por siç e dini rrjedhat politike në Kosovë nganjëherë janë të paparashikueshme. Pra, brenda orësh mund të ketë marrëveshje. Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë nëqoftëse nuk krijohet shumica.

DW: Pyetja e fundit, zonja presidente, ku e shihni ju Vjosa Osmanin pas prillit?

Vjosa Osmani: Unë nuk mendoj asnjëherë se ku do të jetë Vjosa Osmani. Mendoj gjithmonë vetëm se ku do të mbetet Republika e Kosovës dhe nëqoftëse populli i Kosovës dëshiron që unë akoma të jap kontribut për republikën tonë, atëherë do të vazhdoj ta jap atë kontribut. Nëqoftëse qytetarët e Kosovës nuk dëshirojnë të më shohin duke dhënë kontribut në politikë, unë gjej mënyra të tjera për të kontribuar për shtetin tim. Me rëndësi është që unë do të vazhdoj të jem në Republikën e Kosovës, duke dhënë kontribut qoftë profesional, qoftë politik./DW

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit