Gjermania, Franca dhe Italia bëjnë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Libi

Mos i humb

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar mbrëmë, tre vendet anëtare të BE-së shprehën shqetësimin për rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë rajonale pas kërcënimeve të fundit për ndërhyrje nga Abdel Fattah al-Sisi, presidenti i Egjiptit fqinj.

“Duke pasur parasysh rreziqet në rritje për përkeqësimin e situatës në Libi dhe përshkallëzimit rajonal, Franca, Gjermania dhe Italia u bëjnë thirrje të gjitha palëve libiane që menjëherë dhe pa kushte të pushojnë së luftuari dhe të pezullojnë grumbullimin e vazhdueshëm ushtarak në të gjithë vendin”, theksohet në deklaratë.

Deklarata vjen pas kërcënimit të javës së kaluar nga al-Sisi, që është mbështetës kryesor i komandantit renegat Khalifa Haftar, për të ndërhyrë ushtarakisht në Libi.

Qeveria e Libisë e njohur nga OKB kritikoi komentet “e papranueshme” të al-Sisit, duke thënë se ato janë “një deklaratë lufte”.

“Jepini fund ndërhyrjes së jashtme”

Në deklaratën e tyre të përbashkët, Gjermania, Franca dhe Italia u bënë thirrje të gjithë aktorëve të huaj që t’i japin fund çdo ndërhyrjeje dhe të respektojnë plotësisht embargon e armëve të Këshillit të Sigurimit të OKB.

Përkundër embargos, forcat e Haftarit kanë marrë furnizime të mëdha të pajisjeve ushtarake nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Rusia.

Haftar, i cili për një kohë të gjatë ngurroi që të ndërpresë luftimet, nuk pranoi të nënshkruajë një marrëveshje armëpushimi në konferencën e Berlinit këtë janar, përkundër mbështetjes së fuqishme nga fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë për bisedimet e udhëhequra nga OKB për një zgjidhje politike.

Gjermania, Franca dhe Italia u kanë bërë thirrje palëve libiane të rifillojnë bisedimet e udhëhequra nga OKB përmes thirrjes së një takimi të “komitetit ushtarak 5 + 5”.

“Inkurajojmë përfundimin e shpejtë të negociatave brenda grupit punues 5 + 5 nën kujdesin e UNSMIL për të mundësuar nënshkrimin e një marrëveshje të qëndrueshme dhe të besueshme të armëpushimit”, theksojnë ata.

“Ky është një element thelbësor për të krijuar klimën e nevojshme për rifillimin konkret të dialogut politik ndër-libian i cili do të mundësojë një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit”, thuhet gjithashtu në deklaratën e përbashkët.

Libia është përfshirë nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re e vendit u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjatë dështuan për shkak të sulmeve ushtarake nga forcat e Haftarit.

OKB e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritet legjitim të vendit pasi Tripoli lufton me milicitë e Haftarit.

Qeveria në mars nisi operacionin Stuhia e Paqes kundër Haftarit për të kundërshtuar sulmet e Haftarit mbi kryeqytetin Tripoli, dhe së fundmi çliroi vendet strategjike, duke përfshirë Tarhuna, fortesa e fundit e Haftarit në Libinë perëndimore.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit