Gjykata Kushtetuese pezulloi sot dekretin e Presidentit të Republikës për shpalljen e datës së zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës.
Gjykata Kushtetuese njoftoi sot se “vendosi njëzëri të kalojë çështjen me kërkues Erjon Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë”.
Presidenti Begaj dekretoi 9 nëntorin si datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashki, përfshirë dhe Tiranën kryebashkiaku i së cilës u shkarkua me vendim të Këshillit të Ministrave.
Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.
Shkarkimi i Veliajt nga Këshilli i Ministrave, u bë me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, bazuar në nenin 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i cili parashikon shkarkimin e një kryebashkiaku nëse ai mungon në detyrë për më shumë se tre muaj pa ndërprerje.
Këshilli bashkiak votoi me 50 vota pro miratimit të propozimit për shkarkimin nga detyra të Veliajt.
Pas depozitimit të ankimimit, Gjykata Kushtetuese caktoi gjyqtaren Sonila Bejtja si relatore për shqyrtimin e ankesës së ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me shkarkimin e tij nga detyra.