Forcimi i sundimit të ligjit mbetet një gur themeli i rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Konferenca përmbyllëse e projektit “EU4Justice” mblodhi institucionet kyçe të drejtësisë, partnerë ndërkombëtarë dhe profesionistë ligjorë për të reflektuar mbi arritjet, mësimet e nxjerra dhe prioritetet e ardhshme, në mbështetje të një sistemi drejtësie të pavarur, efikas dhe llogaridhënës.
Aktiviteti shënoi përfundimin e një projekti trevjeçar të financuar nga BE (2.5 milionë €), që ka mbështetur Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, duke rikonfirmuar angazhimin e vazhdueshëm të BE-së për konsolidimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh se, mbështetja dhe bashkëpunimi mes BE dhe Shqipërisë nuk përfundojnë këtu.
“EU4Justice II” po vjen, me ambicie edhe më të larta. Fokusi nuk do të jetë më vetëm te zbatimi i reformës, por te konsolidimi i sistemit të drejtësisë në përputhje me standardet më të larta të BE-së, për një vend që synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030”, u shpreh Gonzato.


