Gonzato: Shqipëria angazhim të fortë politik për integrimin, të përshpejtohet ritmi i reformave

Mos i humb

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato i dorëzoi sot Kryeministrit Edi Rama, progresraportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, i cili u bë publik ditën e djeshme.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Gonzato u shpreh se dje Komisioni Evropian miratoi edhe paketën e zgjerimit për vitin 2025 ku përfshihet edhe Shqipëria.

“Raporti i këtij viti publikohet në një moment shumë të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE. Pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues tashmë janë hapur dhe po punohet për hapjen e grupkapitullit të fundit. E gjithë kjo është arritur me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë rezultat të shkëlqyer”, tha Gonzato.

Gonzato u shpreh se ky moment tashmë duhet të shfrytëzohet si një mundësi unike në procesin e negocimit, pasi po hyhet në një fazë vendimtare.

“Është një fazë ku do të testohet vullneti dhe aftësia e Shqipërisë për t’u afruar me legjislacionin e BE-së. Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm në zbatimin e agjendës së reformave të BE-së, në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor duke përmbushur 21 masa reformuese ndërmjet dhjetorit 2024 dhe qershorit 2025. Një rezultat i shkëlqyer që bëri që Komisioni Evropian të disbursojnë 99.3 milionë euro për Shqipërinë, një tregues i prekshëm i angazhimit të BE-së për të stimuluar edhe më tej rimtin e reformave të shpejta në Shqipëri”, theksoi ai.

Gonzato nënvizoi faktin se Komisioni Evropian është gati të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të synimit ambicioz për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të 2027.

“Shqipëria duhet jo vetëm të ruajë, por të përshpejtojë ritmin e reformave, ndërkohë që përmbushja e piketave të ndërmjetme që janë hapa konkretë që shtetet anëtare i kanë përcaktuar si kërkesa themelore që çdo vend aspirant duhet të plotësojë”, vijoi Gonzato.

“Këto piketa konsiderohen aq të rëndësishme sa pa përmbushjen e tyre nuk mund të mbyllet as provizorisht ndonjë kapitull tjetër. Raporti i vitit 2025 i publikuar dje është faktik dhe gjithëpërfshirës. Ne shpresojmë që të gjithë forcat politike, mediat, qytetarët, aktorët e biznesit do e konsultojnë atë, pasi jep një vlerësim të drejtë për ecurinë e vendit, por thekson edhe fushat ku Shqipëria ka ngecje”, tha Gonzato.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, pohoi se periudha e raportit mbulon 1 shtatorin 2024 deri 1 shtator 2025. Sipas Gonzatos, gjetjet e këtij raporti nuk duhet të jenë surprizë pasi ato tregojnë përparësitë dhe sfidat gjatë gjithë vitit.

“Raporti i zgjerimit për Shqipërinë është pozitiv dhe konfirmon angazhimin e fortë politik të Shqipërisë ndaj integrimit në BE si prioritet kombëtar. Raporti vlerëson angazhimin për të ecur përpara në negociata, qasje që vazhdon të ruhet në nivel të njëjtë. Po ashtu dinamika aktuale duhet të përkthehet në reforma më të shpejta me BE”, tha Gonzato.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit