Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për prokurorin e Tiranës, Lazër Çardaku, duke e rikthyer në detyrë.
Vendimi u mor dje nga trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi me shumicë votash ndryshimin e vendimit të KPK-së marrë më 8 nëntor 2024.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori i Tiranës, Lazër Çardaku, u shkarkua nga detyra për probleme në kriterin e pasurisë, që në vlerësimin tërësor u konsideruan se e vendosnin në kushtet e cenimit të besimit të publikut te drejtësia. Ndërkohë, Çardaku u vlerësua i besueshëm në kriterin e figurës dhe se kishte arritur nivelin minimal kualifikues për profesionalizmin.


