Lufta tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës zbret në porte

Mos i humb

Kina ka vendosur tarifa të reja për anijet amerikane që hyjnë në portet e saj, duke thelluar përplasjen tregtare me Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur tensionet mes dy ekonomive më të mëdha në botë po rriten sërish.

Tarifat, që hynë në fuqi të martën, 14 tetor, aplikohen për anijet që janë në pronësi, nën menaxhim, të ndërtuara ose të regjistruara me flamurin amerikan, por jo për anijet e ndërtuara në Kinë, raportojnë mediat shtetërore kineze.

Pekini synon të “mbrojë industrinë detare kineze” nga masat e ashpra të SHBA-ve.

Vendimi vjen si kundërpërgjigje ndaj njoftimit të Washingtonit, që ka nisur të aplikojë tarifa të ngjashme për anijet kineze që ankorohen në portet amerikane.

Javën e kaluar, Pekini paralajmëroi këtë masë ndëshkuese krahas shtrëngimit të kontrolleve mbi eksportet e mineraleve të rralla, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me një tarifë shtesë prej 100% ndaj mallrave kineze. Në të njëjtën ditë, në SHBA hynë në fuqi edhe tarifa të reja mbi produktet e importuara si druri apo mobiliet e kuzhinës, pjesa më e madhe e të cilave vjen nga Kina.

Pavarësisht tensioneve, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping pritet të takohen në fund të tetorit në Korenë e Jugut për të kërkuar zbutjen e krizës tregtare.

“Tarifa 100% nuk është e pashmangshme…Marrëdhëniet janë të mira, kështu që do të shohim si do të ecë”, tha Bessent.

Nga ana e saj, ministria kineze e tregtisë reagoi duke theksuar:

Pozicioni ynë është i qëndrueshëm, nëse ka përplasje, do të luftojmë deri në fund! Nëse ka dialog, dera mbetet e hapur. SHBA-të nuk mund të kërkojë bisedime ndërkohë që vendos masa të reja ndëshkuese dhe kërcënime. Kjo nuk është mënyra e duhur për të bashkëpunuar me Kinën.

Sipas televizionit shtetëror CCTV, anijet amerikane që ndalojnë në portet kineze do të paguajnë rreth 56 dollarë për ton. Tarifat do të rriten çdo vit, duke arritur në rreth 155 dollarë për ton në prill të vitit 2028.

Këto detyrime do të aplikohen edhe për anijet ku kompanitë amerikane zotërojnë të paktën 25% të aksioneve.

Sipas analistes së transportit detar Claire Chong, një anije mallrash që transporton qymyr ose lëndë të para të tjera mund të paguajë deri në 3 milionë dollarë tarifa portuale që nga sot, ndërsa deri në vitin 2028 shuma mund të kalojë 10 milionë dollarë për anijet e mëdha me kapacitet mbi 200 mijë ton.

“Këto tarifa do të përkthehen në kosto të konsiderueshme për industrinë”, tha Chong.

Sipas saj, përjashtimi për anijet e ndërtuara në Kinë, të cilat përbëjnë gati gjysmën e flotës botërore të transportit të thatë, do të zbusë disi efektin e menjëhershëm të tarifave të reja.

Këto zhvillime vijnë pavarësisht armëpushimit tarifor të arritur më herët gjatë vitit mes SHBA-ve dhe Kinës. Në maj, të dyja palët kishin rënë dakord të hiqnin tarifat trefishe për mallrat respektive, duke shmangur një bllokim të mundshëm të tregtisë mes tyre.

Megjithatë, edhe pas asaj marrëveshjeje, mallrat kineze që hyjnë në SHBA mbeten subjekt i një tarife shtesë prej 30%, ndërsa produktet amerikane që hyjnë në tregun kinez paguajnë një tarifë prej 10%.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit