Gjatë vizitës së saj zyrtare në Kroaci, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali u prit mëngjesin e sotëm nga presidenti kroat Zoran Milanović.
Në fokus të këtij takimi ishte perspektiva europiane dhe mbështetja e Kroacisë për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE.
Gjatë takimit, ministrja Spiropali falenderoi presidentin kroat për mbështetjen politike dhe teknike që Kroacia vijon t’i japë Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit.
Eksperienca e Kroacisë përgjatë anëtarësimit në BE, sipas Spiropalit, “tregon se reformat serioze dhe diplomacia proaktive japin rezultate konkrete dhe Shqipëria është e vendosur të ndjekë të njejtën rrugë”.
Ndërsa presidenti kroat nga ana tjetër “vlerësoi angazhimin e Shqipërisë dhe kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke veçuar partneritetin mes dy vendeve për sigurinë e përbashkët“.
Më herët, ministrja Spiropali ka ndarë një moment në rrjetet sociale, ku shihet duke vënë një kurorë dhe duke bërë nderimet e saj në Monumentin e Atdheut, në nisje të vizitës së saj zyrtare.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Jashtme, Spiropali do të zhvillojë gjithashtu një takim bilateral dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e saj kroat, Gordan Grlić-Radman. Më pas, do të zhvillojë një takim edhe me Komitetin për Çështjet e Jashtme të Parlamentit Kroat.


