Mblidhet kryesia e PD për zgjedhjet e pjesshme, Berisha: Nuk ka bojkot nga opozita!

Mos i humb

Partia Demokratike ka mbledhur Kryesinë sot, 4 tetor, për të diskutuar mbi zgjedhjet e pjesshme.

Në këtë mbledhje do të informohet nga grupi i punës rreth ecurisë së bisedimeve me aleatët në lidhje me përfaqësimin në zgjedhjet vendore të datën 9 nëntor.

Po ashtu do të ketë diskutime dhe vendimmarrje mbi organizimin e procesit zgjedhor në gjashtë bashkitë që hyjnë në zgjedhje, ku peshën më të rëndësishme e ka Tirana.

Ndërkohë, në fjalën e tij, kryedemokrati Sali Berisha, ka vijuar me akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, lidhur me dekretin presidencial për zgjedhjet e Tiranës.

“Parimet e Kushtetutës sigurisht janë të pavdekshme. Janë thelbësore për një rend dhe një sistem demokratik, kurse në një narkodiktaturë ato janë faktikisht të parespektuara. Një opozitë në regjimet autoritare, në diktaturat autoritare, ka si mision përmbysjen e saj duke mos mashtruar veten e saj asnjëherë se ajo përmbyset me votë. Por, një opozitë, në vlerësimin dhe mendimin tim, duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë në betejën, në luftën kundër regjimit autoritar“, deklaroi Berisha, duke theksuar se opozita nuk do bojkotojë procesin zgjedhor, pavarësisht rrethanave të pabarazisë.

“Për Tiranën, unë ngrita një delegacion që do të eksploronte, jo kandidatura, por për të eksploruar me aleatët tanë modelin. A mund të gjenim një model që të ishim të gjithë të bashkuar si opozitë…”, tha Berisha.

Bëri deklarata të rënda për kandidaten zyrtare të Partisë Socialiste për kryeqytetin, Ogerta Manastirliu.

“Vetëm sa nuk i ra të fikët! Kësaj i iku fytyra, vetëm sa nuk ra nga karrigia, sepse i di mëkatet që ka. Krimi nuk të lëshon, e di se janë 20 mijë shpirtra që shumë prej tyre, mund të ishin gjallë sot. I mori Covidi për vjedhjen që bëri. Ka kryer krime kundër njerëzimit, duke i privuar nga ilaçet, si në asnjë vend tjetër.”

Kujtojmë se eksponentë të kësaj force politike kanë bërë me dije se kandidati për kryeqytetin do të zyrtarizohet brenda 48 orëve të ardhshme.

Nuk dihet nëse partitë opozitare do të dalin me një kandidat të vetëm dhe nëse ky i fundit do të jetë apolitik, siç është diskutuar së fundmi.

Gjashtë bashki në vend janë në pritje të një kryetari të ri.

Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, kurse vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë Erion Veliaj nga Këshilli i Ministrave.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit