Qindra qytetarë nga trevat shqiptare u mblodhën sot në Sheshin “Skënderbej” në një protestë të fuqishme në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe liderëve të saj që ndodhen në paraburgim në Hagë.
Një nga zërat më të respektuar në protestë ishte ai i ish-Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, i cili mbajti një fjalim të fuqishëm para protestuesve, duke i cilësuar luftëtarët e UÇK-së si burra të drejtë dhe guximtarë.
“Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për lirinë e atdheut,” deklaroi Moisiu.
Ai kujtoi vizitën e tij në Hagë më 29 shtator 2022, së bashku me ish-presidentët Meidani, Topi, Pacolli dhe ish-kryeministrin Pandeli Majko, ku patën takuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Moisiu tha se këta burra “ishin të qetë, të vendosur dhe të gatshëm të sakrifikojnë për pastrimin e luftës së drejtë të UÇK-së.”
Ish-presidenti e cilësoi gjykimin e tyre si një proces të ndikuar nga qarqe të errëta serbo-ruse: “Ata janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qarqet e errëta serbo-ruse që përpiqen të njollosin luftën për çlirimin e Kosovës. Ata nuk kanë kryer krime, por kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore, çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të tyre.”
Moisiu përmendi mbështetjen që UÇK-ja ka pasur nga NATO dhe SHBA gjatë luftës, si dhe rolin e dëshmitarëve amerikanë që sipas tij po vërtetojnë pafajësinë e ish-drejtuesve të UÇK-së në gjykatë.
“Liria e Kosovës nuk është dhuratë, por është fituar me gjak, sakrifica dhe vendosmëri. Nuk mund të pranojmë që të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve.”
Në fund të fjalimit, Moisiu bëri thirrje për unitet dhe vendosmëri:
“Sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar për të mbrojtur të ardhmen e kombit tonë të vuajtur. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten. Lavdi dëshmorëve të UÇK-së! Liri për drejtuesit e UÇK-së! Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”