Miratohet ngritja e komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale

Mos i humb

Kuvendi miratoi sot ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare, për Reformën Zgjedhore dhe për Reformën Administrativo–Territoriale.

Në nisje të seancës plenare Kuvendi miratoi me 113 vota pro dhe 3 kundër komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore, i cili ka si objekt të punës së tij hartimin e ndryshimeve legjislative për reformën zgjedhore.

Komisioni do të trajtojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të vitit 2023, për zgjedhjet e 11 majit 2025 dhe ato të zgjedhjeve të mëparshme, të patrajtuara.

Po ashtu, Komisioni do të shqyrtojë edhe rekomandimet e institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet, partive politike parlamentare si dhe të organizatave jofitimprurëse.

Po ashtu objekt i punës së këtij komisioni është edhe hartimi i një ligji për financimin e partive politike.

Komisioni i posaçëm ngrihet mbi bazën e barazisë pozitë-opozitë në përbërje të së cilit janë 16 anëtarë, 7 prej të cilëve nga PS dhe 7 nga PD dhe dy anëtarë nga grupi parlamentar i Aleancës për Ndryshim dhe grupi parlamentar i Partisë së Lirisë.

Komisionin drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD.

Po ashtu Kuvendi miratoi me 115 vota pro dhe 3 kundër edhe komisionin e posaçëm për Reformën Administrativo–Territoriale.

Komisioni përbëhet nga 16 anëtarë, 8 nga PS dhe 6 nga PD, një nga Aleanca për Ndryshim dhe 1 nga PL. Komisioni drejtohet nga dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD dhe do të funksionojë përgjatë një afati kohor 9-mujor. Në rast nevoje, Kuvendi vendos zgjatjen e afatit.

Objekt i punës së këtij komisioni është shqyrtimi i kuadrit ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore.

Po ashtu, komisioni ka si objekt analizimin dhe propozimin e opsioneve për ridizejnimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të qeverisjes vendore.

Komisioni do të analizojë sistemin aktual të financave vendore dhe rekomandimin e masave për shëndoshjen financiare dhe rritjen e qëndrueshmërisë së njësive të vetëqeverisjes vendore duke përfshirë decentralizimin fiskal, rritjen e të ardhurave vendore, optimizmin e shpenzimeve dhe përmirësimin e menaxhimit financiar.

Po ashtu komisioni do të shqyrtojë cilësinë dhe aksesin e shërbimeve publike vendore, si dhe sigurimin e përputhshmërisë së propozimeve me Acqui të BE-së dhe politikat e kohezionit rajonal.

Në fokus të punës së këtij komisioni do të jetë gjithashtu edhe zhvillimi i një procesi konsultimi tërësor gjithëpërfshirës dhe transparent me njësitë e qeverisjes vendore, shoqatat e tyre, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit