Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar ndaj çrregullimeve lidhur me lëvizjen e mallrave, në lëvizjen e mallrave ndërmjet Bashkimit Evropian, korridoreve rajonale të transitit dhe Republikës së Kosovës.
Zhvillimet e fundit, përfshirë bllokadat e vendalimeve kufitare nga shoferët e kamionëve në disa shtete të rajonit, të lidhura me zbatimin dhe fuqizimin e rregullave të reja të hyrjes në Bashkimin Evropian dhe sistemit EES po pengojnë ndjeshëm lëvizjen e mallrave.
Lidhur me këtë, OEAK i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që të angazhohet urgjentisht në gjetjen e një zgjidhjeje të balancuar dhe të qëndrueshme për sfidat aktuale që po ndikojnë në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe zinxhirët ndërkufitarë të furnizimit, thuhet në komunikatën për media.
“Lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor të mallrave janë thelbësore për garantimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe avancimin e integrimit ekonomik me tregun unik të BE-së. Ndërprerjet tashmë po ndikojnë tek bizneset përmes vonesave në dërgesa, rrezikut të mospërmbushjes së kontratave, humbjeve financiare dhe mundësisë së humbjes së klientëve ndërkombëtarë”, thuhet po aty.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka inkurajuar të gjitha palët relevante që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të punojnë drejt zgjidhjeve praktike, të parashikueshme dhe afatgjata që sigurojnë lëvizjen e pandërprerë të mallrave në zinxhirët evropianë dhe rajonalë të furnizimit, duke ruajtur njëkohësisht integritetin e sistemeve të menaxhimit kufitar të BE-së.


