Opozita vendos kurora me lule pranë varrit të Ismail Qemalit

Mos i humb

Shqipëria kremton sot 113-vjetorin e Pavarësisë dhe nderon Ditën e Flamurit Kombëtar, simbol i rrugëtimit tonë historik, i sfidave të përballuara dhe i vlerave që bashkojnë shqiptarët kudo ndodhen.

Përfaqësues të opozitës vendosën kurora me lulë në Memorialin e Pavarësisë dhe pranë varrit monumental të Ismail Qemalit në Vlorë.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i shoqëruar nga nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi dhe deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj, uroi gjithë shqiptarët për Festën e Flamurit.

“Partia Demokratike në këtë ditë të shenjtë për kombin shqiptar, uron gëzuar këtë ditë të madhe çdo shqiptari. Është 28 Nëntori, dita kur Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, është dita kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe është dita kur u çlirua Shqipëria. Prandaj kjo ditë është e shenjtë për shqiptarët”, tha Noka.

Ndër të tjera Noka dha një mesazh politik.

“Fatkeqësisht festohet kjo ditë në kthetrat e një narko-regjimi. Shqipëria ka nevojë për një qeveri teknike, duhet të njohë institucionin e dorëheqjes dhe ka nevojë që kjo Shqipëri të ndjehet ashtu siç e meritojnë qytetarët dhe jo nën diktatin e narkosit, korrupsionit dhe karteleve të drogës”, tha Noka.

Edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, vendosi kurora më lule në Memorialin e Pavarësisë dhe pranë varrit të Ismail Qemalit në Vlorë.

“Kënaqësi e veçantë që nga Vlora, kryeqyteti i festës së Pavarësisë, të shpreh sot urimet më të përzemërta dhe vëllazërore për të gjithë shqiptarët, gëzuar ditën e Pavarësisë”, tha ai.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i kryesuar nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ky akt ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe ngritjen e një shteti të pavarur shqiptar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit