Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin, në 70-vjetorin e lindjes së tij, duke e cilësuar atë si simbol të pavdekshëm të lirisë dhe krenarisë kombëtare.
Osmani përmes një postimi në Facebook ka theksuar se figura e Jasharit mbetet e gjallë në zemrën e çdo shqiptari.
“Ai është i gjallë në çdo zemër shqiptari, frymë e pavdekshme e lirisë dhe krenarisë kombëtare. Në 70 vjetorin e lindjes, si dhe në çdo ditë që frymojmë lirshëm, të përulemi Komandant!”, ka shkruar presidentja.
Në vazhdimësi, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e përkujtojnë ditëlindjen e komandantit legjendar, duke nderuar veprën, sakrificën dhe trashëgiminë e tij që mbetet themeli i shtetit dhe lirisë së Kosovës.


