Polonia po përgatitet për një goditje të fortë ndaj gjigantëve të teknologjisë, duke synuar ndalimin e plotë të rrjeteve sociale për të gjithë fëmijët nën 15 vjeç.
Ministrja polake e Arsimit, Barbara Nowacka, ka deklaruar për Bloomberg se qeveria do të prezantojë draftin e parë të një ligji që mbron shëndetin mendor të brezit të ri.
Sipas projektligjit, përgjegjësia nuk do të bjerë mbi prindërit, por mbi vetë platformat. Meta, TikTok dhe X do të detyrohen të vendosin sisteme strikte të verifikimit të moshës, ose në të kundërtën do të përballen me gjoba marramendëse.
“Ne po shohim një rënie të frikshme të aftësive intelektuale dhe dëmtime të rënda të shëndetit mendor te të rinjtë tanë. Platformat nuk po zbatojnë as rregullat e tyre dhe ne nuk mund të presim më”, shprehet Barbara Nowacka – ministre e Arsimit, Poloni.
Ky hap e vendos Poloninë përkrah vendeve të tjera që kanë ndërmarrë të njëjtin vendim. Vetëm pak kohë më parë, Australia mori masa të njëjta, ndërsa Britania e Madhe, Franca, Spanja dhe Greqia po shqyrtojnë kufizime të ashpra për të miturit.
Ligji i ri, nëse miratohet, pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027.


