Banorët nga fshatrat e Njësisë Administrative Thumanë protestuan sot për të tretën herë radhazi pranë nënkalimit të autostradës Thumanë-Kashar, duke bllokuar për rreth një orë qarkullimin.
Shkak i protestës është shkatërrimi i rrugës së Gramzës, e cila përdoret nga automjetet që devijojnë nga aksesi kryesor i autostradës, si dhe mosinteresi i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARSh) dhe Bashkisë Krujë për investimin dhe riparimin e kësaj rruge prej rreth 500 metrash.
Aktivisti Aulon Kalaja, i cili shpesh denoncon problemet që prekin komunitetin e kësaj zone, u bëri thirrje institucioneve që të ndërhyjnë për të rikthyer sigurinë dhe funksionalitetin e rrugëve të dëmtuara.
Banorët apeluan për investime urgjente në rrugët e Krujës, një nga zonat më pak të investuara, të cilat, sipas tyre, janë lënë jashtë vëmendjes së qeverisë. Protesta theksoi frustrimin e komunitetit për infrastrukturën e degraduar dhe mungesën e përgjigjes institucionale.