Pas kaosit në Parlament ditën e djeshme, 18 dhjetor, Partia Socialiste ka kërkuar përjashtimin nga salla e Kuvendit të 29 deputetëve të opozitës, përfshirë edhe kryedemokratin Sali Berisha.
Ishte parashikuar që Sekretariati i Etikë ta shqyrtonte kërkesën këtë të premte, 19 dhjetor, por mbledhja është shtyrë për të martën e javës së ardhshme, në orën 10:00.
Siç raportohet, shkak është bërë kërkesa e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, për t’u njohur me faktet se ku është mbështetur kërkesa e shumicës socialiste.
“Duam provat”, mësohet se ka qenë kërkesa kryesore e opozitarëve, në mbledhjen e shkurtër ku nuk kanë munguar debatet.
Për dëmtimin e pajisjeve dhe përplasjet me Gardën, është kërkuar përjashtimi me 60 ditë për Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka dhe deputetët, Belind Këlliçi, Klevis Balliu, Fidel Kreka, Ledina Alolli, Denisa Vata e Albana Vokshi.
Me 30 ditë, për kryetarin e PD-së, Sali Berisha, kreun e grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi dhe deputeten Elda Hoti. Socialistët thonë se ata fyen ministrat dhe penguan seancën plenare.
Deputetët për të cilët kërkohet përjashtimi me 10 ditë janë Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi, Saimir Korreshi, Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Eno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha dhe Kliti Hoti.
| Ditë përjashtimi | Deputetët | Arsyeja |
|---|---|---|
| 60 ditë | Flamur Noka Belind Këlliçi Klevis Balliu Fidel Kreka Ledina Alolli Denisa Vata Albana Vokshi |
Dëmtim pajisjesh dhe përplasje me Gardën |
| 30 ditë | Sali Berisha Gazment Bardhi Elda Hoti |
Fyerje ndaj ministrave dhe pengim i seancës plenare |
| 10 ditë | Besart Xhaferri Xhelal Mziu Bledjon Nallbati Luçiano Boçi Saimir Korreshi Edi Paloka Ina Zhupa Klodiana Çapja Oerd Bylykbashi Eno Bozdo Tomorr Alizoti Ivi Kaso Gent Strazimiri Luan Baçi Bledi Himçi Greta Bardeli Manjola Luku Flamur Hoxha Kliti Hoti |
Pengim i seancës dhe sjellje kaotike |
Seanca e fundit parlamentare për këtë vit u karakterizua nga përplasje të forta (edhe fizike) mes mazhorancës dhe opozitës, aq sa u desh ndërhyrja e vazhdueshme e Gardës së Republikës
Endrit Shabani bëri betimin si Avokat i Popullit në formën më kaotike të mundshme. Edhe çështja “Balluku” krijoi tensione. Deputetët e opozitës nuk lejuan zhvillimin normal të seancës, megjithatë PS votoi e vetme aktet normative, në kohë rekord.


